Ligjshmëria e thirrjes së Kuvendit të rregullt zgjedhor për Kryetar të FFK-së, me datë 6 prill 2022, konfirmohet edhe nga Gjykata Themelore në Prishtinë
Ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë, me dy vendimet e saja ka konfirmuar ligjshmërinë e thirrjes së Kuvendit të rregullt zgjedhor për kryetar të FFK-së i caktuar për datën 6 prill 2022. Së pari Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti për Çështje Administrative ka shpallur veten jo kompetente për të vendosur, ndërsa më pas Departamenti i Përgjithshëm i kësaj gjykate, e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e paditësit për anulimin dhe shtyerjen e vendimit për mbajtjen e zgjedhjeve për kryetar të FFK-së për datën 6 prill 2022, të ushtruara kundër Federatës së Futbollit të Kosovës.
Gjykata Themelore në Prishtinë përmes këtyre dy aktvendimeve nuk ka gjetur asnjë shkelje dhe paligjshmëri në lidhje me Kuvendin e FFK-së që do të mbahet më datën 6 prill 2022 dhe as me kompetencat e Sekretarit të FFK-së, në mbarvjatjen e këtij Kuvendi.
Ashtu si kemi qenë të bindur qysh në fillim se organet kometente të FFK-së kanë bërë thirrjen e Kuvendit në konformitet me normat statutare të FFK-së, ligjet e aplikueshme në Kosovë dhe Statutet e UEFA-së dhe të FIFA-së, po ashtu sot nga të dy aktvendimet e Gjykatës Themelorë në Prishtinë vërtetohet që thirrja e Kuvendit të FFK-së për datën 6 prill 2022 është e ligjshme, si dhe organet e brendshme të FFK-së kanë trajtuar drejtë procesin e mbarvajtjes së Kuvendit të rregullt dhe zgjedhor që do të mbahet më 6 prill 2022.
Siç mund të shihni nga dy aktvendimet e bashkëlidhura, përfaqësuesit me autorizim të një personi i cili kishte ushtruar kërkesën për t’u kandiduar në organet udhëheqëse të FFK-së, kanë tentuar që me Padi dhe Kërkesa për Masë të Përkohshme, të vënë në lajthitje Gjykatën Themelore në Prishtinë në mënyrë që të bllokojnë Kuvendin e FFK-së të thirrur me datë 6 prill 2022. Siç vërehet nga këto dy vendime, së pari me 29.03.2022 Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti për Çështje Administrative, ka marrë Aktvendim nr.740/2022 ku ka gjetur se e njëjta nuk është kompentete për shqyrtimin e këtyre kërkesave, andaj i ka njoftuar paditësin dhe avokatët e tij se kërkesat i kishin ushtruar gabimisht pranë një departamenti jo kompetent të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Ndonëse Aktvendimi nr.740/2022 i datës 29.03.2022 nuk ishte bërë i plotëfuqishëm dhe duhej pritej që pas 15 ditësh çështja të bartej në Departamentin e Përgjithshëm, paditësi me përfaqësuesit e tij të autorizuar në mënyrë të kundërligjshme, pa e pritur fare që Aktvendimi nr.740/2022 i datës 29.03.2022 të bëhej i formës së prererë, një ditë pas, respektivisht me datë 30.03.2022, lidhur me çështjen e njëjtë, e cila ishte ende në proces, respektivisht duke pasur gjyqvarësi, të njëjtit parashtrojnë një Kërkesë të re për Masë të Përkohshme në Deprtamentin e Përgjithshëm të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Veprimi i tillë i paditësit dhe avokatëve të tij ishte në kundërshtim me nenin 262, të Ligjit për Procedurën Kontestimore, pasi që gjatë kohës së ekzistimit të gjyqvarësisë për të njëjtën kërkesë, nuk mund të inicohet gjykim i ri midis palëve të njëjta. Megjithatë, Gjykata Themelore në Prishtinë, nuk ishte e njoftuar në lidhje me gjyqvarësinë (respektivisht se propozimi-kërkesa për masë e paditësve e inicuar më parë nuk ishte vendosur ende sepse ishte bartur në departamentin tjetër), andaj e njëjta me të drejtë, me datë 01.04.2022 përmes Aktvendimit C.nr.1207/2022 në mënyrë meritore ka refuzuar si të pabazuar kërkesat e paditsësit me të cilat kishte kërkuar që të ndalohej dhe pezullohej mbajtja e Kuvendit të rregullt zgjdhor për kryetar të FFK-së për datën 6 prill 2022 dhe të pengohet puna e Sekretarit në mbarëvajtjen e të njëjtit Kuvend.
Ashtu siç kemi qenë të bindur që nga fillimi, FFK është në një proces të rregullt dhe të ligjshëm, dhe se FFK nuk është lëkundur asnjëherë nga e drejta e saj për të organizuar Kuvendin e rregullt dhe zgjedhor me datën 6 prill 2022. Këto aktvendime të Gjykatës Themelore në Prishtinë, si dhe konfirmimet nga UEFA dhe FIFA, e konfirmojnë angazhimin e FFK-së në rrugën e saj të drejtë dhe ligjore në organizimin e Kuvendit të FFK-së për datën 6 prill 2022.
FFK-ja ka respektuar në plotëni normat statutare si me rastin e thirrjes së Kuvendit, e poashtu edhe me datë 6 prill 2022 e njëjta do të organizojë Kuvendin e saj në konformitet të plotë me kërkesat e Statutit dhe Rregullores së Kuvendit të FFK-së, Statutet e UEFA-s, FIFA-s, si dhe ligjet e aplikueshme në Kosovë. Për të njëjtin Kuvend tashmë kanë konfirmuar pjesëmarrjen zyrtarë të lartë të UEFA-s, FIFA-s, MKRS-së dhe KOK-ut, si dhe sipas kërkesës së FFK-së të njejtit do të bëjnë edhe monitorimin e këtij Kuvendi.
Ju faleminderit edhe njëherë të gjithë atyre që nuk kanë rënë pre e manipulimeve, por kanë besuar në ligjshmërinë e punës së FFK-së në organizmin e Kuvendit të rregullt dhe zgjedhor për datën 6 prill 2022.