Në fundit të muajit nëntor të vitit 2018, në qytetin Dole të Francës, Suzana Sekiraqa e kishte vrarë burrin e saj Artan Sekiraqën duke e goditur 11 herë me sëpatë.
Nga Franca ajo ishte larguar drejtë Kosovës ku edhe është arrestuar më pas nga Policia e Kosovës.
Për këtë vepër mizore të cilësuar si vrasje e rëndë, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte gjetur fajtore Suzanën duke e dënuar me 25 vjet burgim, me arsyetimin se ajo me dashje e kishte privuar atë nga jeta në mënyrë mizore.
Gazeta Objektiv ka siguruar edhe aktgjykimin prej 20 faqesh të Gjykatës Themelore në Prishtinë, në të cilën edhe janë procesverbalet e dëshmitarëve dhe zyrtarëve të Policisë franceze që e kishin gjetur të vdekur në banesën e tij të ndjerin Artan Sekiraqën derisa ishte në gjumë.
Por si kishte ndodhur vrasja?
Sipas raportit të Policisë i ndjeri ishte gjetur i shtrirë në dysheme dhe ishte i mbuluar me gjak të terur dhe muret ishin të spërkatura me gjakun e tij.
“Është gjetur trupi i kthyer barkazi dhe i zhytur në një masë të madhe në gjak, tërësisht i dekompozuar, me prezencë të kërmijve dhe insekteve të ndryshme. Trupi ishte i shtrirë, këmbët pak të hapura me dy duart e mbledhura pak, trupi kishte një plagë prerëse në qafë shumë të thellë dhe të dukshme, një shenjë e madhe gjaku i terur përhapur nën trupin e viktimës, koka ishte pothuajse tërësisht e shkëputur, e mbajtur vetëm nga një pjesë e lëkurës së prerë dhe e vendosur në anën e majtë të faqes. Kjo prerje e kokës është bërë minimum me 2 të rame-goditje, plagët e dukshme e të prera tregojnë qartë se veprimi ka qenë i fort dhe me vendosëshmëri është bërë akti, që për qëllim kishte shkëputjen tërësisht të kokës nga trupi. Asnjë plagë nuk është vërejtur në barkun e tij dhe në këmbët”, thuhet në raportin e Policisë.