Katër adoleshentët që akuzohen se kanë qenë të përfshirë në sherrin ku mbeti i vrarë 16 vjeçari Fatjon Bici dhe u plagos kushëriri i tij Marko Bici, janë lënë në burg nga Gjykata. Pas konflikteve në rrjetet sociale, ata ishin takuar për t’u sqaruar dhe viktimë mbeti 16 vjeçari.
Ky i fundit rezulton se nuk kishte pasur lidhje direkte me sherrin, por kishte ndërhyrë për të ndihmuar kushëririn e tij që po dhunohej nga katër adoleshentët e tjerë.
“Sherri nisi 3 muaj më parë tek lodrat elektrike, atë ditë shkuam për t’u sqaruar në Gramsh. M’u errësuan sytë dhe nuk mbaj mend nëse qëllova person tjetër pas Fatjon Bicit. Fatjoni më goditi me grusht në fytyrë dhe më shau, pastaj nxora thikën e qëllova”, mësohet të ketë thënë autori E.K.
Specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit në DVP Elbasan, në vijim të hetimeve të kryera në drejtimin e Prokurorisë, kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetasve Xh. Ç., 15 vjeç, O. Ç, 14 vjeç, E. K., 15 vjeç dhe S. M., 16 vjeç.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 mjete prerës (thika), 2 përforcues grushti dhe 5 celularë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.