Disa orë pas publikimit të pamjeve të vrasjes së Agonis Tetajt, është publikuar një foto ku pretendohet se shihet avokati i familjes Gogaj dhe prokurori i rastit Agron Uka, duke qëndruar në një kafiteri.
Prokurori Uka ka konfirmuar se ky takim ka ndodhur mirëpo, sipas tij, takimi ka ndodhur tri vite më parë.
“Në Bibël e Kuran të betohem që kemi qenë vetëm unë e Jetishi. Ky ka ardhë na ka përshëndetë, erdh prej një gjykimi edhe ka thënë: A bën një kafe vetëm për qejf… Kjo para tri viteve, shumë i sigurt jam. Ka ndejtë vetëm 5 minuta, por s’ka lidhje me rast”, tha prokurori.
Tutje, prokurori tha se me avokatin Berisha është në konflikt.
“Unë me avokatin jam në konflikt, bile-bile thash ja unë ja ky me leshu punën”, shtoi ai.
Dje prokurori Agron Uka ka rikualifikuar veprën penale nga “vrasje e rëndë“ në “vrasje nga pakujdesia”.
Dhe sot familja ka publikar videon me akuzat se ka pasur shtrembërim të së vërtetës.
Në lidhje me fotografinë, media ka kontaktuar edhe avokatin Besnik Berisha, i cili mbron Shaban Gogajn, i akuzuar për vrasjen e Agonis Tetajt.
I pyetur nga kallxo se a ka pasur rast të takojë prokurorin Agron Uka jashtë gjykatës apo prokurorisë, avokati Berisha ka thënë se një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
“As kafe, as takim, as kurrë me ato punë e çështje nuk jam marrë”, tha Berisha.
Pasi u informua për fotografinë, ai e mohoi duke thënë se ka shanca të jetë montuar por është i gatshëm të përballet me gjithçka.
“Unë kam kontaktuar me prokurorin mbi 20 herë në sallë të gjykimit e përtej atyre vetëm kush don me kriju e trillu”, tha Berisha.
Rreth zhvillimeve të sotme, avokati Berisha ka reaguar në profilin e tij në Facebook.
Media ka kontaktuar me kryeprokurorin e Prokurorisë së Gjilanit për të konfirmuar nëse personi në foto me avokatin është prokurori Uka, mirëpo ai nuk ka shprehur interesim për të parë fotografinë.
“Jo nuk mundem, unë nuk di asgjë, nesër komunikojmë zyrtarisht, kemi zyrën për informim, nuk bëhet tinëz kjo punë, e keni fotografinë e prokurorit nëpër portale edhe në web-faqe të Prokurorisë, i keni të dhënat për prokurorë”, tha kryeprokurori Arben Kadriu.
Prokurori i krimeve të rënda në Gjilan, Agron Uka, ka folur sot pas publikimit të pamjeve të momentit të vrasjes së Agonis Tetajt nga djali i pronarit të kompanisë në të cilën i ndjeri ishte i punësuar.
Uka ka thënë se e ka cilësuar këtë rast “vrasje nga pakujdesia” për shkak se në këtë rast nuk ka ekzistuar dashja dhe i akuzuari nuk e ka ditur a është arma e vërtetë apo me gaz.
“Është video mirëpo qëllimi është tek elementi i dashjes, a ka ekzistuar apo ekziston dhe a e ka ditë ky se a është armë e vërtetë apo armë me gaz. Krejt qaty o kanë se dy armë janë konstatu që kanë qenë aty edhe qekjo situatë ka qenë”, e arsyetoi prokurori ricilësimin e veprës penale.
Gjatë ditës media ka kontaktuar edhe me prokuroren Sahide Gashi, e cila e ka hetuar rastin nga fillimi deri në fund.
Gashi pasi u pyet nëse ka pasur prova për vrasje të rëndë deklaroi se po të mos kishte prova nuk do ta ngriste aktakuzën.
“Në çdo rast dhe edhe këtu përderisa nuk e krijoj bindjen e plotë për veprën që ekziston unë nuk e paraqes aktakuzën”, ka thënë prokurorja Gashi.
Publikimi i videos së vrasjes së një të riu në vendin e tij të punës e shokoi opinionin publik në Kosovë.
Video e vrasjes së Agonis Tetjat në kompaninë “Gogaj AG” u bë publike nga prindi i të ndjerit pasi prokurori Agron Uka e lehtësoi veprën nga “vrasje e rëndë” në “vrasje nga pakujdesia”.
Isuf Tetaj përmes një shkrimi publik drejtuar kryeprokurorit të shtetit, mediave dhe ambasadave ka shprehur pakënaqësinë e tij me veprimin e prokurorit i cili e konsideroi nga pakujdesia vrasjen e birit të tij.
Për vrasjen e Agonis Tetajt po akuzohet Shaban Gogaj.
Sipas aktakuzës se Prokurorisë së Pejës, më 23 shtator të vitit 2018, në kompaninë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj merr një telefonatë nga një person tjetër dhe me të përfunduar bisedën, e ndërron karrigen dhe nga sirtari nxjerr revolen e tij të tipit “Beretta”.
Aktakuza përshkruan se pas nxjerrjes së revoles Shaban Gogaj e vendos karikatorin dhe e merr në shenjë të ndjerin Agonis Tetaj në kokë dhe e qëllon duke e lënë të vrarë.
Pasi kjo aktakuzë u ndryshua nga prokurori Agron Uka duke e cilësuar këtë vrasje si nga pakujdesia i akuzuari Gogaj e pranoi fajësinë.
E pas pranimit të fajësisë, avokati Besnik Berisha deklaroi se kualifikimi i ri i prokurorit e reflekton të vërtetën që ka ndodhur në ditën kritike