Një vrasje e rëndë kishte ndodhur në shkurt të këtij viti, në fshatin Bërnjak të Rahovecit. Por, ishte zbuluar pas dy muajsh. Dyshimet u ngjallën kur policia pa që në oborrin e një shtëpie po dilte tym.
Nga prilli i këtij viti, kur edhe u zbulua gjithë tragjedia në familjen Kryeziu, i dyshuari G.K. po qëndron në paraburgim.
Kjo masë i është vazhduar edhe për dy muaj të tjerë.
Ai do të qëndrojë në paraburgim deri më 6 nëntor të këtij viti.
Krejt kjo pasi për shkak të pandemisë nuk kanë mundur të intervistohen të gjithë dëshmitarët, pasi jetojnë jashtë vendit.
Prokurori i rastit, Ramiza Buzhala, ka deklaruar për mediat vendore se do të intervistohen edhe familjarët e tjerë të viktimës, të cilët jetojnë në Zvicër.
“Të pandehurit i është vazhduar paraburgimi për dy muaj, i skadon më datë 6.11.2019. Duhet të procedohen si dëshmitarë edhe bashkëshortja, djali dhe dy vëllezërit e viktimës që gjenden jashtë vendit”, ka deklaruar Buzhala.
Ai ka bërë të ditur se është marrë për ekzaminim edhe një pjesë e hirit që ishte gjetur në vendin ku dyshohet se është djegur trupi i pajetë i viktimës, por nuk kanë dalë ende rezultatet e këtyre ekzaminimeve.
“Duhet pritur ekzaminimin e hirit ku dyshohet të jetë djegur kufoma si dhe të verifikohet se sa para ka tërhequr viktima nga banka në Zvicër nga fillimi vitit 2020 si dhe të ndërmerren edhe disa veprime tjera hetimore të nevojshme për zbardhjen e drejtë dhe të plotë të rastit”, ka thënë Buzhala.
Si ndodhi e tërë ngjarja
35 mijë franga e 8 mijë euro që posedonte viktima dyshohet të kenë qenë shkaktari i vrasjes së rëndë në familjen Kryeziu të Bërnjakut të Suharekës.
Gjatë muajit shkurt, viktima kishte ardhur nga Zvicra në Kosovë, e pas disa ditësh prej kur nuk kishte pasur kontakt me familjarët, gruaja e tij kishte ardhur nga Zvicra për ta kërkuar bashkëshortin.
Ajo e shpalli të zhdukur burrin e saj, me të cilin nuk po arrinte të kontaktonte.
I zhdukuri B.K. u lokalizua, por si i vdekur.
Krejt këtë ngjarje e kishte zbuluar Policia e Kosovës, ku përmes analizave të ADN-së arriti të gjejë pjesë të djegura kockore të cilat nga forenzika janë dërguar për ekzaminim në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
Këto kocka ishin gjetur në oborrin e shtëpisë së të dyshuarit.
E krejt kjo ngjarje dyshohet se kishe ardhur pas një zënke verbale në mes të viktimës dhe vëllait të tij 59-vjeçar.
Shkak i kësaj përleshjeje, sipas deklaratave të familjarëve, dyshohet të kishte qenë shuma e parave që tashmë i ndjeri e kishte sjellë nga Zvicra në Kosovë.
Pasi e kishte vrarë me armë zjarri vëllanë, G.K. ishte kujdesur që t’i zhdukte gjurmët e krimit. Ai kishte ndezur një zjarr të madh, i cili i kishte rënë në sy edhe policisë, të cilët kishin shkuar në vendin e ngjarjes.
Por, i dyshuari e kishte kamufluar krejt ngjarjen, duke djegur edhe mbeturina, e kështu e mashtroi edhe policinë, duke deklaruar se po e pastron oborrin dhe po i djeg mbeturinat.
Pas të gjitha hetimeve të nevojshme, dyshimet kryesore çuan në arrestimin e G.K., nën dyshimin se ka vrarë e më pas djegur vëllanë.