Detaje të reja kanë dalë në dritë në lidhje me vrasjen e 23-vjeçares Sabrina Bengaj në Fier. Raportohet se një mesazh në telefonin e Elton Metës ku shfaqej një foto e tij me një grua tjetër është bërë shkak i ndarjes së tij nga ish-gruaja Sabrina, të cilën e vrau në shtëpinë e prindërve disa ditë më parë. Nga hetimi ka rezultuar se Elton Metaj ka tradhëtuar bashkëshorten.
Ndërkohë, edhe pse ndaj tij ishin ngritur 3 vepra të rënda penale për ngjarjen e shtatorit 2020 kur shkoi me kallashnikov në oborrin e shtëpisë së vjehrrit dhe i mori peng të gjithë familjen e bashkëshortes së tij, kamuflimi se ishte në gjendje të rënduar shëndetësore ishte skema që u përdor në mënyrë që ai të fitonte lirinë nga burgu.
Ishte prokurori që kërkoi që Elton Meta të shtrohet në spital si i sëmurë mendor, ndërsa avokatët kishin qenë kundër dhe kërkuan që të përballet me ligjin. Kjo kërkesë e prokurorit, bëri që 32-vjeçari të shtrohej në spitalin e burgut.
Por, ç’ka ndodhur në spitalin e burgut të Zaharisë? Sipas dokumenteve të siguruara nga mediat, spitali i këtij burgu ku 32-vjeçari qëndroi prej 22 dhjetori të 2020 thotë se Elton Meta ka sjellje normale. Specialisti i këtij insitucioni Taulant Pengili, argumenton se Elton Meta nuk ka manifestuar simptoma psikotike apo afektive akute, duke mos qenë i nevojshëm trajtimi i tij me ndonjë terapi.
Ky raport mjekoligjor i ekspertit Pengili është firmosur dhe nga kreu i burgut të Zaharisë Petrit Myslymi. Pra, për mjekët e spitalit të burgut të Zaharisë nuk ishte i sëmurë mendor që duhej izoluar. Është pikërisht raporti i ekspertit të spitalit të burgut që nxjerr në pah skandalin se si ekspertët e tjerë mjekoligjorë e kishin nxjerr të riun me probleme të shëndetit mendor pikërisht për t’i shuar akuzat dhe për të shmangur dënimin e tij për armëmbajtje pa leje, dhunë në familje dhe kundërshtim të forcave të policisë.
Vlen të theksohet, se babai i viktimes tha se Eltoni e kishte tradhëtuar vajzën, çka bëri që Sabrina të kërkonte divorcin vitin e kaluar. Ai madje shtoi se e kishin të faktuar tradhëtine bashkëshortore të Eltonit, ndaj vajza nuk qëndroi më me të, ndonëse e pati të vështirë sepse në mes ishte edhe fëmija i mitur i çiftit.
Kujtojmë se Sabrina Bengaj 23-vjeç, u vra nga bashkëshorti i saj Elton Meta pak ditë më parë në fshatin Zhupan të Fierit.