Njeriu më i afërt që u kujdes për karrierën e Michael Schumacher, Willy Weber pretendon se familja e pilotit legjendar e refuzoi atë pas aksidentit të Michael në ski dhe i akuzoi ata se gënjejnë për gjendjen shëndetësore të shtatë herë kampionit të botës në Formula.
Michael Schumacher pati një aksident me ski në Alpet Franceze në vitin 2013 – ku mori një goditje të fortë në kokë. Menjëherë pas aksidentit ai është transportuar me helikopter në spitalin më të afërt dhe ishte në gjendje kritike për jetën.
Ai iu nënshtrua dy operacioneve, pas të cilave u vendos në koma të induktuar për të ruajtur sa më shumë funksionin e trurit. Në qershor të vitit 2014, Schumacher u zgjua nga një koma e induktuar dhe zëdhënësja e tij konfirmoi se ai mund të dëgjonte dhe t’i përgjigjej prekjes.
Gjithashtu u njoftua se Schumacher u largua nga spitali në Grenoble dhe po vazhdon shërimin në shtëpinë e tij në liqenin e Gjenevës. “Kam tentuar me qindra herë të kontaktoj me Korrinën, ajo nuk më është përgjigjur, kam marrë në telefon edhe Jean Todt, i cili më tha të mos shkoja në spital, të prisja se ishte herët. Kur telefonova të nesërmen, askush nuk u përgjigj. Nuk e prisja një sjellje të tillë dhe jam akoma i zemëruar për këtë. Më shtynë mënjanë duke thënë se ishte shumë herët dhe tani është shumë vonë. Kanë kaluar nëntë vjet. Është koha që ata të thonë të vërtetën”, tha Weber.
“Mund të kuptoja se si ishte situata kur ndodhi, në fund të fundit gjithmonë bëja gjithçka për të mbrojtur jetën private të Michael. Por që atëherë ne nuk kemi marrë asgjë tjetër veç gënjeshtrave prej tyre,” shtoi ai.