Trajneri i Anglisë në futboll Gareth Southgate ka larguar nga skuadra kombëtare, të paktën për dy ndeshjet e radhës, mbrojtësin e Manchester, Harry Maguire, pasi një gjykatë në Greqi e shpalli atë fajtor për sulm dhe për tentativë korruptimi të policisë.
Maguire u dënua me 21 muaj me kusht dhe nuk do të kalojë asnjë ditë në qeli, pasi u shpall fajtor për të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij nga autoritetet greke, për sherrin masiv ku ai u përfshi në ishullin grek të Mikonos.
Menjëherë pasi u njoh me vendimin e gjykatës greke, mbrojtësi i United deklaroi se ka angazhuar ekipin e tij ligjor për ta apeluar atë.
Para se trupi gjykues të vendoste ra në sy dhe mbrojtja e çështjes nga prokurori grek i cili i kërkoi yllit të futbollit anglez që të kërkonte falje për gënjeshtrat që ai kishte lëshuar gjatë kësaj kohe dhe për deklaratat se motra e tij u sulmua nga disa shqiptarë të cilët tentuan t’i hidhnin drogë në pije.
“Maguire dhe miqtë e tij sajuan një histori rreth disa shqiptarëve që sulmuan motrën e tij. Nuk kisha dëgjuar gënjeshtra më të mëdha.
Kjo ishte një përpjekje e turpshme për të mbuluar sjelljen e tyre të neveritshme duke fyer shqiptarët dhe policinë greke”, u shpreh prokurori Paradissis.