Ish-basketbollisti i NBA-së dhe dy herë kampion me Los Angeles Lakers, Slava Medvedenko ka shitur unazat e kampionit dhe paratë nga shitja do të dërgohen në vendin e tij për rindërtimin e sallave sportive.
Medvedenko i nxori unazat në ankand, me një çmim fillestar prej 100,000 dollarë. Në fund, të dy unazat arritën 126,767 dollarë secila, transmeton Demokracia.com.
Ukrainasi shpjegoi se vendosi të ndërmarrë një hap të tillë për të ndihmuar të rinjtë në vendin e tij, të cilëve u është shkatërruar infrastruktura ku mund të luanin sport.
“Ne duam të rindërtojmë sallat, sepse ushtria ruse bombardoi qindra shkolla. Vendi ynë ka nevojë për para të mëdha për të riparuar shkollat. Dhe sallat sportive do të jenë ndër të fundit në radhë për rinovim. Dimri po vjen dhe fëmijët duhet të luajnë sport diku”, tha Medvedenko.
Ukrainasi kaloi shtatë vjet në NBA, dhe gjashtë vjet në fanellën e Lakers, ndërsa sezonin e fundit luajti për Atlanta Hawks.