Çfare loje nga Ylli i Adis Beciragicit, çfarë rikthimi në rezultat dhe çfare fitore komode në fund. Vetëm në pjesë të parë Prishtina i bëri ballë suharekasve kampionë, ndërsa në të dytën foli ekipi i Yllit!
Me një rikthim të madh, duke dominuar dhe duke i shënuar Prishtinës 55 pikë në pjesë të dytë e duke pranuar vetëm 28 Ylli fitoi ndeshjen e pestë me radhë në kampionat pas startit jo të mirë për t’iu vënë pas Pejës në renditje tabelare!
Valon Bunjaku shkëlqeu në pjesë të dytë të ndeshjes për Yllin, ndërsa në total shënoi 21 pikë, duke shutuar thuajse perfekt për treshe 5/6. Ai bëri edhe 4 asistime në fitore, ndërsa Henrik Sirko luajti me 19 pikë, 6 kërcime e 3 asistime në fitore. Me double-double në fitoren e Yllit 68-86 [11-14, 29-17, 10-26, 18-29] u dallua Ismet Sejfic, që me statistika ka pasur paraqitjen e tij më të mirë prej se ka ardhur në ekip, duke dhënë 13 pikë e duke bërë 10 kërcime e 2 asistime.
Te Prishtina në fillim të ndeshjes u dallua Rrezart Memedi, por përkundër dëshirës së madhe të tij, ekipi nuk bëri sa duhet, ndërsa kryeqytetasit pësuan për herë të dytë me radhë. Memedi gjuajti 6/7 për tri pikë, duke dhënë 18 pikë, ndërsa Dardan Berisha përkundër 13 pikëve dhe 7 asistimeve, nuk mjaftoi për fitore!
Ylli me këtë fitore kalon në vend të dytë të renditjes tabelare duke bërë bilancin 5-4, ndërsa Prishtina me humbjen e sontme bëhet 5-4. Por, derisa Ylli ka shënuar fitoren e pestë radhazi, Prishtina ka regjistruar humbjen e dytë radhazi.