Ish-opinionistja e Big Brother VIP Albania 2, Zhaklin Lekatari, këtë kohë ka qenë në qendër të vëmendjes për shkak të disa postimeve që ka bërë në rrjete sociale.
Ajo këto ditë po viziton Serbinë dhe në një nga postimet u shpreh se ndihet e sigurt në një vend ku nuk ka shqiptarë.
Kjo deklaratë e saj ka nxitur reagime të shumta madje edhe reagimin e këngëtarës Nita Latifi e cila e quajti “marre” veprimin e opinionistes.
Zhaklina në ndërkohë nuk ka lënë pa iu kundërpërgjigjur ish-banores.
Ajo përmes një instastorje ka thënë se Nita po tenton të jetë në qendër të vëmendjes pas BBVA-së meqë si këngëtare ka vite që po mundohet por nuk po bëhet dot e famshme.
“Zgjohem sot në mëngjes dhe shoh që një pseudo-këngëtare që ka vite që tenton të bëhet e famshme por nuk ia del dot, pasi i iku vëmendja e Big Brother, tenton të vazhdojë të qëndrojë në pellgun e vëmendjes duke nxitur urrejtje”, tha Zhaklina për Nitën.
Mes tjerash, Lekatari ka ofenduar edhe kosovarët derisa shtoi se duhet ta mësojnë gjuhën shqipe.
“Unë do i besoj patriotizmit tuaj kur t’ju shoh që plehrat nuk i derdhni më nga dritarja, kur të shoh që mësoni gjuhën shqipe, kur t’ju shoh që ta doni shokun dhe shoqen si familjarin tuaj, kur të shoh që të ndërhyni kur ka padrejtësi”, ka thënë ish-opinionistja.