Pas disa ditëve me reshje të fuqishme shiu, pasditen e djeshme dhe sot në pjesën më të madhe të Zvicrës, (me përjashtim të disa zonave si Engelbergtal etj.) ka mbretëruar mot kryesisht i mirë.
Por, ky duket të jetë vetëm një “pushim para furtunës”. Nga e hëna në mbrëmje deri të premten, rryma BERND sjell stuhi shtrëngatë dhe reshje të mëdha shiu. Prandaj janë të pritshme stuhitë e breshërit, përmbytjet, rrëshqitjet e dheut etj., paralajmëron SRF Meteo.
Moti i ligë dhe stuhitë kanë karakterizuar Zvicrën për rreth gjashtë javë. Toka është e ngopur me ujë , niveli i ujërave nëntokësore është i lartë dhe liqenet në disa raste janë të mbushura plot, transmeton albinfo.ch. Hidrologët e Zyrës Federale për Mjedisin (FOEN) tashmë kanë lëshuar një paralajmërim të nivelit 3 (nga 5 gjithsej) për liqenet si: Liqeni Brienz, Liqeni Thun, Liqeni i Lucernit, Liqeni i Cyrihut.
Tani na pret një javë tjetër me stuhi dhe shira të mëdhenj. Rryma BERND është duke iu afruar Zvicrës nga Franca dhe në fillim të javës pritet të jetë këtu. Për pasojë një erë e ftohtë do të përshkojë Zvicrën të martën në mbrëmje. Pas kësaj, niveli i ulët i temperaturave mbetet këtu deri në fund të javës, përcjell albinfo.ch. Rruga e saktë që do të bëjë rryma në fjalë është ende e paqartë.
Nga e hëna në mbrëmje deri të martën në mbrëmje, Zvicrën do ta pushtojnë stuhi të fuqishme. Pritet breshër i madh dhe shtrëngata. Në veri, tendenca e shtrëngatave fillon të ulet të martën, ndërsa në jug është e kundërta, ato do të forcohen atje pikërisht të martën.
Si pasojë e shiut të madh, ekziston ende rreziku i rrëshqitjeve të tokës dhe i përmbytjeve, që për pasojë mund të kenë pengesat në trafik.
Duhet pritur përmbytje në brigjet e liqeneve dhe përmbytje të lumenjve të vegjël dhe të mesëm, transmeton albinfo.ch. Lumenjtë më të mëdhenj po përballen gjithnjë e më shumë me vështirësi. Rrëshqitjet e mëtejshme të tokës janë po ashtu të pritshme
Relaksim pritet vetëm fundjavën tjetër
Të premten që vjen pritet të zbuten reshjet. Situata duhet të pushojë paksa gjatë fundjavës: Mund të ketë vetëm shira lokale me sasi të vogla shiu.