Inter Miami në Shtetet e Bashkuara të Amerikës zyrtarisht ka njoftuar të shtunën për nënshkrimin e shtatëherë fituesit të Topit të Artë, Lionel Messi.
Argjentinasi do të prezantohet së shpejti, ka njoftuar klubi i ri.
“Jam shumë i lumtur të nis këtë hap të ri në karrierën time me Inter Miamin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Është mundësi fantastike dhe bashkë do të vazhdojmë të ndërtojmë këtë projekt të bukur. Ideja është që të punojmë bashkë në arritjen e objektivave që vendosim dhe jam i etur të ndihmoj shtëpinë time të re”, ka deklaruar Messi për uebfaqen zyrtare të klubit.
Siç ka njoftuar klubi, Messi do të jetë në dispozicion për ekipin që nga ndeshja e 21 korrikut në Kupën e Ligës.
36-vjeçari konsiderohet ndër lojtarët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Ka fituar çdo trofe të mundshëm.
Lojtari së fundmi ishte pjesë e Paris Saint-Germainit. Argjentinasi sukseset më të mëdha i ka me Barcelonën, që ishte e interesuar ta kthente në Nou Camp, por nuk mund ta bënte për shkak të rregullave financiare të LaLigas.