Kosova do t’i shtrëngojë masat antiCOVID-19 në javët në vijim nëse vazhdon trendi i rritjes së rasteve pozitive me koronavirus.
Paralajmërimi është dhënë sot nga kryeministri Avdullah Hoti i cili tha se ekziston rreziku real që në javët në vijim Kosova të ketë të njëjtën situatë me pandeminë sikur disa vende të Bashkimit Evropian dhe rajonit, që aktualisht po përballen me numër të madh të të prekurve.
Ai ka thënë se rritja e rasteve po vjen nga gastronomia dhe vetë institucionet publike, ndërkohë ka kërkuar mobilizim nga inspeksioni dhe Policia e Kosovës për mbikëqyrjen e zbatimit të masave.
Pas takimit me përfaqësuesit e institucioneve përgjegjëse për menaxhimin e situatës me COVID-19, kryeministri Hoti tha se nëse vazhdon trendi i rritjes së rasteve pozitive, atëherë do të ndërmerren masa më ekstreme.
Hoti: Nëse vazhdon rritja e rasteve me COVID-19 detyrohemi të marrim masa më ekstreme
“Prezenca jonë këtu, e ministrit të Shëndetësisë, drejtorit të institutit, shërbimit spitalor, drejtorit të policisë, inspektorateve qendrore e komunale, është shenjë e informatave që ne marrim, raporteve, hulumtimeve nga institute që rreziku është real që ne për dy deri në tre javë të kemi të njëjtën gjendje siç po kalojnë shumica e vendeve të BE-së, në regjion. Ne kemi filluar të rrethohemi prej vendeve me numër shumë të lartë të të prekurve. Këtu te ne sapo ka filluar të rritet numri, andaj rreziku është real që pas dy tre javësh ne të detyrohemi, në rast se shkon në këtë trend, që të marrim masa që janë më ekstreme”, tha Hoti.
Sipas tij, rritja e rasteve pozitive po vjen nga gastronomia dhe institucionet publike.
Me inspektorët qendrorë e komunalë, Hoti u pajtua që të formohen grupe punuese të inspektoratit sanitar, farmaceutik dhe të tregut dhe në mbështetje të Policisë së Kosovës të jenë në mbikëqyrje të zbatimit të masave në institucione dhe biznese, teksa bëri të ditur se nga sot janë shtuar 75 inspektorë.