Në sulmet izraelite në Rripin e Gazës sot janë vrarë të paktën 120 persona, prej të cilëve 31 kanë humbur jetën gjatë përpjekjeve për të marrë ndihmë humanitare.
Këto të dhëna janë bërë të ditura nga Ministria e Shëndetësisë në Gaza.
Spitali al-Shifa në qytetin Gaza konfirmoi se ka pranuar 27 trupa, ndërsa shtatë janë dërguar në spitalin al-Awda në Nuseirat, dy në al-Aksa në Deir al-Balah dhe 25 në spitalin Nasser në Khan Younis, raporton aljazeera.
Në një deklaratë, Zyra e Medias e Qeverisë së Gazës deklaroi se ushtria izraelite “qëllimisht po krijon kaos në Rripin e Gazës duke zbatuar një politikë urie dhe shënjestruar e vrarë qëllimisht njerëzit e uritur që kërkojnë ushqim.”
“Kjo është realizuar përmes vrasjeve të drejtpërdrejta, shpesh të qëllimshme, e ndonjëherë edhe të rastësishme, me dronë, helikopterë apo tanke, duke shënjestruar të rinj, të moshuar dhe fëmijë që nxitojnë për të marrë çdo ndihmë të disponueshme për të ushqyer fëmijët dhe familjet e tyre,” thuhet në deklaratë.
Në luftën Izrael-Hamas që ka nisur më 7 tetor 2023, numri i të vrarëve në Rripin e Gazës ka kaluar 55 mijë persona, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës. Shumica e viktimave janë gra, fëmijë dhe të moshuar. /Telegrafi/