6 persona kanë humbur betejën me koronavirusin gjatë 24 orëve të fundit.
Kështu, numri total i viktimave nga COVID-19 në Kosovë ka shkuar në 124.
Kështu ka njoftuar Xhevat Jakupi, shef i Departamentit të Mikrobiologjisë, përmes një konference për media.
Në mesin e viktimave është edhe polici 39-vjeçar, Ilir Gjokaj, për të cilin Gazeta Sinjali raportoi mbrëmë se nuk ka mundur t’i mbijetojë betejës me virusin vdekjeprurës.
Zyrtari policor që vdiq mbrëmë nga koronavirusi, sipas Policisë së Kosovës paraprakisht kishte pasur probleme me boshtin kurrizor dhe me frymëmarrje.
Policia ka thënë se Ilir Gjokaj kishte kërkuar pushim për shkak të problemeve shëndetësore.
“Zyrtari policor i cili ka qenë duke shërbyer në Stacionin Policor në Gjakovë, nga data 07.07.2020 është lajmëruar në pushim mjekësor për shkak të problemeve më bosht kurrizor, kurse nga data 11.07.2020 është hospitalizuar në repartin pulmologjik për shkak të problemeve me frymëmarrje. Pas testeve të kryera, me datë 14.07.2020 kishte rezultuar pozitiv në COVID-19, ndërsa me datë 15.07.2020 është transferuar për trajtim mjekësor në Prishtinë”, thuhej në komunikatën e lëshuar nga Policia e Kosovës.
Ndërsa një familjar i tij i ka thënë Sinjalit se ai nuk e ka pasur asnjë problem tjetër shëndetësor.
“Jo bre s’ka pasë kurrfarë sëmundje. Mashkull dy metra nuk ta ka pa syri, djalë më të fortë e më trim.. e më të fuqishëm… nuk mudem më shumë”, ka deklaruar familjari i tij. /Gazeta Sinjali