Pak kujt i kishte rënë të dëgjonte për emrin e Tienmu Ma, deri në raportimin e presidentit Thaçi në Komisionin Hetimor për deportimin e gjashtë shtetasve turq jashtë Kosovës. Në komision, presidenti e kishte përmendur Tienmu Ma si ekspert i cili ka lidhje të afërta me Vetëvendosjen. Jo shumë kohë më pas, kur Albin Kurti kishte ardhur në pushtet, e kishte emëruar Tienmu Ma si këshilltar të jashtëm. I njëjti, ndonëse Kurti nuk është më në pushtet, është parë në aktivitete të Vetëvendosjes. Por, mënyra e financimit të tij nuk është bërë kurrë publike.
10 ditë pasi që kishte ardhur në pushtet, Albin Kurti e kishte emëruar këshilltar të tij, shtetasin amerikan Tienmu Ma. Emërimi i tij në këtë pozitë, kishte shkaktuar bujë në media dhe opinion, pasi që paraprakisht emri i tij ishte lakuar nga presidenti Thaçi, i cili në Komisionin Hetimor për Shtetasit Turq atë e kishte cilësuar si ekspert të afërt me Vetëvendosjen, shkruan lajmi.net.
Vetëvendosje dhe Kurti asnjëherë nuk e kanë bërë publike formën se si Tienmu Ma është paguar për angazhimet e tij në kabinet qeveritar, e më pas edhe në parti.
Agjencia Kundër Korrupsionit ka publikuar edhe deklarimin e pasurisë së Tienmu Ma, për kohën sa ai ishte këshilltar i jashtëm i Kurtit. Në deklarim vërehet se Tienmu Ma, nuk ka marrë pagë nga buxheti i shtetit të Kosovës. Mirëpo, në deklarim nuk figuron asnjë e ardhur as nga Lëvizja Vetëvendosje.
Në AKK, Tienmu Ma ka deklaruar gjashtë llogari bankare, katër prej tyre në SHBA, një në Kosovë dhe një në Zvicër. Shumën më të madhe të të hollave, Tienmu Ma ka deklaruar se e mbanë në njërën prej llogarive në SHBA, gjithësej 644 dollarë.
Por, Tienmu Ma ka deklaruar edhe disa para të gatshme, të cilat nuk i ka të deponuara në bankë.
Në tri vende të ndara, ai ka deklaruar 5 mijë e 804 euro, 457 euro në një tjetër vend, dhe 806 dollarë.
Si të ardhur të vetëm mujore, ai ka deklaruar pagën që e merr si asistent shkencor në shkenca juridike.
Lajmi.net kishte pyetur në zyrën e kryeministrit, derisa atë e udhëheqte Albin Kurti, për formën e financimit të Tienmu Ma, mirëpo që nuk kishte marrë përgjigje.
Të njëjtat pyetje lajmi.net i kishte adresuar edhe në zyrën e Vetëvendosjes, mirëpo as këta të fundit nuk kishin dhënë detaje për formën e pagesës së Tienmu Ma.