Një person është vrarë mbrëmë në fshatin Nekoc të komunës së Drenasit. Policia e cila ka dalë në vendin e ngjarjes ka konfirmuar se vrasja ndodhi pas një përleshje rreth orës 19:00 derisa tre persona po kërkohen lidhur me rastin.
Gazeta Express merr vesh se i dyshuari për vrasjen është një familjar i Azem Sylës, ish-komandant i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Bazuar në të dhënat fillestare në këtë rast një person është plagosur nga arma e zjarrit ndërsa tre të tjerë kanë pësuar lëndime trupore gjatë përleshjes fizike. Personi i plagosur nga arma e zjarrit, nuk mundur tu përballoj plagëve dhe i njëjti ka ndërruar jetë. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në QKUK”, tha Flora Ahmeti, zëdhënëse e policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës.
Të lënduarit po marrin tretman mjekësor derisa policia nuk ka dhënë detaje të tjera.
“Aktualisht hetuesit policor janë duke punuar për të sqaruar të gjitha rrethanat që lidhen me rastin”, thuhet në njoftimin e policisë.