“Përderisa nuk tërhiqet nga pozita e ambasadorit (Qëndrim Gashi), si 6 deputet të Kuvendit dëshirojmë t’u informojmë se nuk do të votojmë asnjë ligj në seancat e ardhshme, jashtë ligjeve të COVID-19 dhe projektligjeve për rimëkëmbje ekonomike”.
Kjo ishte kërkesë-kushtëzimi i deputetit të Grupit Parlamentar 6+, Fikrim Damka, gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës.
Ambasadori i Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi, kishte shpërndarë një artikull që tregonte për vrasjen e një mësuesi në Francë javën e kaluar. Në artikull foto ilustruese ishin karikaturat e profetit Muhamed.
Deputetë, sportistë, artistë dhe shumë qytetarë kërkuan shkarkimin e ambasadorit Gashi. Por, tani kërkesa tjetër direkte vjen nga një Grup Parlamentar.
Gashi në anë të një letre ka sqaruar se nuk ka qenë qëllimi i tij “ofendimi i myslimanëve”.
Por, Grupi Parlamentar 6+ theksoi se zyrtarët institucionalë po ofendojnë qartë Islamin e kjo mund të ketë pasoja në të ardhmen.