Ministri Vitia nuk e përjashton mundësinë e vendosjes së masave të reja
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia vlerëson se situata me pandeminë e koronavirusit në Kosovë është shqetësuese dhe nuk përjashton që autoritetet të ndërmarrin masa shtesë.
Këto komente ai i bëri gjatë një takimi që zhvilloi të enjten, më 1 prill, me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett.
Vitia dhe Kosnett, sipas një njoftimi të MSH-së, thuhet se kanë vlerësuar se për shkak të situatës shqetësuese, kërkohet respektimi i masave që janë në fuqi. Ata kanë shtuar se pandemia ka përkeqësuar situatën në rrafshin shëndetësor, por edhe në atë ekonomik dhe social.
Në anën tjetër Kosnett ka shprehur gatishmërinë e SHBA-së që të ndihmojë edhe më tej Kosovën në luftën kundër pandemisë.
“Ambasadori Kosnett ka theksuar se SHBA-ja përmes programeve të tyre do të vazhdojnë të jenë partnere e institucioneve të Kosovës në fuqizimin e angazhimeve për përballimin e situatës me COVID-19 dhe sigurimin e një përgjigje adekuate ndaj kësaj situate, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik të popullatës në Kosovë”, thuhet në njoftimin e MSH-së.
Kosova më 29 mars nisi fushatën e vaksinimit kundër koronavirusit, pasi pranoi 24.000 doza të vaksinës AstraZeneca nga programi COVAX, i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Në programin COVAX, që ka për qëllim të furnizojë shtetet e varfra me vaksina, SHBA-ja është një ndër donatoret kryesore.
Në Kosovë, sipas Planit shtetëror të vaksinimit, fillimisht do të vaksinohen punëtorët shëndetësorë, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.