Ministri i Financave dhe Transfereve në Kosovë Hekuran Murati ka dhënë një sqarim për vendimin e djeshëm të Qeverisë lidhur me zvogëlimin e shtesave të cilat merrnin pensionistët.
Murati ka thënë se qeveria e kaluar në kohë fushate kishte marrë vendim që të ndajë nga 30 euro për vetëm tre muaj, e pas atyre muajve shtesat ishin paraparë të ndalen në tërësi. Murati ka thënë se krejt çfarë do të merrnin pensionistët pa vendimin e djeshëm është shuma prej 75 ose 90 eurove, sepse sipas tij Qeveria e kaluar kishte buxhetuar 0 euro shtesa.“Nga pakoja e djeshme prej 20 milioneë euro e miratuar në qeveri, pjesa më e madhe e saj, 8.5 milionë euro janë ndarë për të mbështetur skemat e pensioneve që marrin nën 100 euro, si dhe familjet në asistenceë sociale. Sa u përket shtesave për pensionet bazike, qeveria e kaluar në kohë fushate, kishte marrë vendim për të ndarë nga 30 euro për vetëm tre muaj (janar, shkurt dhe mars). Dhe pas marsit e tutje, shtesat ishte paraparë të ndalen në tërësi. Me pakon e re, kemi shtuar 8.5 milion euro, aty ku qeveria e kaluar kishte buxhetuar 0 euro shtesa. Pra për muajt prill e tutje, nuk ka pasur shtesa të planifikuara. Krejt çka do të merrnin pensionistët pa vendimin e djeshëm të qeverisë, do të ishte shuma prej 75 ose 90 eurove, ashtu siç është e planifikuar në buxhetin e vitit 2021, të miratur në Kuvend”, thuhet në sqarimin e Muratit në Facebook.
Tutje, Murati ka theksuar se shtesat të cilat janë ndarë për pensionistët do të vazhdojnë përgjatë tërë vitit.
“Ministria e Finacave, Punës dhe Transfereve, ka paraparë që për kategoritë e skemave pensionale që marrin nën 100 euro – e këtu ka kategori me 75 euro dhe me 90 euro – të aplikohet një shtesë, asisoj që shuma totale e pensionit me gjithë shtesën të jetë 100 euro. Këto shtesa do të vazhdojnë përgjatë tërë vitit, njësoj sikurse mbështetja për përfituesit e asistencës sociale”, ka shkruar Murati.