Minimalisht 13 shpërthime masive janë dëgjuar në kufirin mes Iranit dhe Irakut, ku mendohet se ka pasur një sulm të shënjestruar drejt konsullatës amerikane në Irak dhe aeroportit, më saktësisht në qytetin e Erbil-it.
Burime për Albanian Post nga gazetarë të mediave lokale, kanë bërë me dije se janë parë disa drita në qiell fillimisht dhe njerëzit kanë filluar t’i filojnë ato, pa ditur situatën.
Më pas, është kuptuar se është bërë fjalë për raketa, të cilat kanë goditur disa pika në Erbil.
Sipas burimeve të Albanian Post, disa prej sulmeve mund të jenë nisur prej bazës së Kermanshah, në Kurdistanin iranian dhe janë drejtuar për nga konsullata amerikane dhe aeroporti.
Pjesa tjetër, mendohet se janë nisur nga një bazë tjetër e afërt me Tabrizin, ku gjendet Azerbajxhani iranian.
Deri tani, nuk mësohet asgjë për viktima të mundshme, por mendohet se nuk ka të tillë.
Sipas disa raportimeve të tjera, mendohet se është goditur edhe selia e televizionit Kurdistan 24.
Në videot e publikuara në media sociale, duken qartësisht edhe shpërthimet e njëpasnjëshme në Erbil.