Ka përfunduar pa fitues ndeshja miqësore mes Zvicrës dhe Kosovës.
Kombëtarja e Kosovës ka bërë një tjetër miqësore pozitive nën urdhrat e Alain Giresse, duke luajtur baras 1:1 kundër Zvicrës, shkruan lajmi.net.
Në pjesën e parë, Kosova pati dy mundësi të mira shënimi, të dyja pas goditjeve me kokë. Fillimisht ishte Amir Rrahmani që u gjend mirë në zonë, por goditja e tij ishte shumë e butë.
Më pas, në minutën e 17’ Zvicra mund të fitonte një penallti, pas një ndërhyrje të pakujdesshme të Hadërgjonaj ndaj Zuber.
Kosova rrezikoi përsëri me anë të Valon Berishës, i cili goditi fort me kokë, por portieri i vendasve ishte në pozitën e duhur.
Zvicra reagoi me Zuber, por goditja e tij u prit në dy kohë nga Aro Muric.
Në minutën e 43’, Shaqiri lëshoi një goditje të fortë, por Aro Muric priti për të mbajtur portën e paprekur.
Pjesa e dytë nisi e qetë. Kosova shfrytëzoi një gabim në mesfushë për të zhbllokuar rezultatin me anë të Milot Rashicës. Zymer Bytyqi vodhi topin në mesfushë, i cili asistoi Milotin për këtë gol.
Megjithatë, festa nuk zgjati shumë. Zvicra barazoi me anë të Lotomba, i cili u asistua nga Kevin Mbabu.
Dardanët mund të kalonin në epërsi në minutën e 70’, por pritjen fenomenale të Ibrahim Dresevic e priti portieri zviceran.
Gjuajtja e Dresevic erdhi vetëm pak minuta pas inkuadrimit në lojë të Edon Zhegrovës, i cili ndryshoi lojën në një aspekt pozitiv.
Në fund, rezultati final mes Zvicrës dhe Kosovës ishte 1:1. Spektakli nuk mungoi as në fushë e as në tribuna.