Kryetari i Federatës Shqiptare të Futbollit, z. Armand Duka dhe kryetari i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, Muamed Sejdini, kanë uruar kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, z. Agim Ademi, për gjashtë vjetorin e anëtarësimit në UEFA.
“Më lejoni që në emër të Federatës Shqiptare të Futbollit por edhe timin personal t’i shpreh urimet më sinqerta FFK-së dhe gjithë komunitetit të futbollit në Kosovë në këtë përvjetor historik për futbollin kosovar. Ndihem krenar për kontributin që Federata Shqiptare e Futbollit ka dhënë në procesin e njohjes ndërkombëtare të FFK-së dhe jam i bindur që bashkëpunimi me vëllezërit tanë të Kosovës do të vazhdojë me projekte të rëndësishme për zhvillimin e futbollit. Mirënjohje përjetë edhe për ish-presidentin e ndjerë të FFK-së, legjendën Fadil Vokrri, i cili ka dhënë një kontribut historik për anëtarësimin e Kosovës në UEFA”, thuhet në letrën e kryetarit FSHF-së, z. Armand Duka.
Ndërsa, kryetari i FFM’së, Muamed Sejdini, në letrën e tij drejtuar kryetarit Ademi, thotë se për kaq pak vite që kur FFK u pranua në UEFA, Kosova duhet të ndihet krenare për hapat e rëndësishëm që ka bërë përpara.
“Kosova me katër klube në përfaqësimin në eliminatoret për Kupat e Europës. Për më shumë, ndryshe nga vitet paraprake kur ishin pjesë e fazës paraeliminatore, klubet kosovare tashmë kërcejnë në nivel tjetër dhe do të jenë pjesë e raundeve kualifikuese drejt fazës së grupeve. Është ky një prej lajmeve më të rëndësishme që ka mundur të merr vendi juaj tashmë kur bëhen 6 vite nga pranimi i FFK-së si anëtare e plotëfuqishme e UEFA-së. Saktë gjashtë vite më parë shtëpia e futbollit Europian hapi dyert e institucionalizimit të futbollit të Kosovës dhe në kaq pak vite ju duhet të jeni krenarë për hapat e rëndësishëm që keni bërë përpara. E nisur nga presidenti i ndjerë Fadil Vokrri, e duke vazhduar nga krahu e tij i djathtë, Agim Ademi, president aktual, Federata e Futbollit të Kosovës ka treguar impenjim admirues dhe përkushtim shembullor për avansimin e këtij sporti. Dhe jo vetëm federata, por edhe klubet, sponsorët, mediat dhe gjithë përbërësit e garës janë meritorë për ngritjen e futbollit kosovar”, thuhet në letrën e kryetarit të FFM’së, Muamed Sejdini.
Letra e plotë e kryetarit të FFM’së, Muamed Sejdini:
_____________L E T Ë R U R I M I_____________
Kosova me katër klube në përfaqësimin në eliminatoret për Kupat e Europës. Për më shumë, ndryshe nga vitet paraprake kur ishin pjesë e fazës paraeliminatore, klubet kosovare tashmë kërcejnë në nivel tjetër dhe do të jenë pjesë e raundeve kualifikuese drejt fazës së grupeve. Është ky një prej lajmeve më të rëndësishme që ka mundur të merr vendi juaj tashmë kur bëhen 6 vite nga pranimi i FFK-së si anëtare e plotëfuqishme e UEFA-së.
Saktë gjashtë vite më parë shtëpia e futbollit Europian hapi dyert e institucionalizimit të futbollit të Kosovës dhe në kaq pak vite ju duhet të jeni krenarë për hapat e rëndësishëm që keni bërë përpara. E nisur nga presidenti i ndjerë Fadil Vokrri, e duke vazhduar nga krahu e tij i djathtë, Agim Ademi, president aktual, Federata e Futbollit të Kosovës ka treguar impenjim admirues dhe përkushtim shembullor për avansimin e këtij sporti. Dhe jo vetëm federata, por edhe klubet, sponsorët, mediat dhe gjithë përbërësit e garës janë meritorë për ngritjen e futbollit kosovar.
Nëse gjashtë vite më parë ishit të posa-institucionalizuar e kushtimisht thënë fillestarë, sot pas 6 viteve jeni vend serioz, me një ekip përfaqësues të respektuar nga të gjithë, me klube që vitin paraprak treguan cilësi e dinjitet në përfaqësimin europian dhe me nivel e vendosshmëri për t’u përmirësuar akoma më shumë në të ardhmen.
FFK dhe Komiteti Ekzekutiv në krye me presidentin Agim Ademi prezantuan një strategji të qartë për periudhën që pason, ku mes tjerash vëmendje e veçantë po i kushtohet përmirësimit të infrastrukturës. Kjo do të bëjë ndikim të madh në krijimin e një imazhi tjetër të futbollit tuaj, paralel me krijimin e kushteve më të mira për punë. Këto janë parakushte për të ardhme të suksesshme dhe Kosova duket se gëzimet e vërteta në futboll i pret në periudhën që pason.
Me këtë rast, duke ju dëshiruar shumë suksese në të ardhmen, në emrin tim personal, në emër të Këshillit Drejtues të FFM-së, në emër të federatës dhe gjithë komunitetit të futbollit në vendin tonë, ju uroj 6 vjetorin e pranimit si anëtare e plotëfuqishme e UEFA-së.
Kujtojmë se më 3 maj të vitit 2016, futbolli kosovar përfundimisht theu izolimin prej dy dekadash e gjysmë, duke u bërë pjesë e familjes evropiane të futbollit. 28 vota të delegatëve në Kongresin e UEFA-s në Budapest ishin pro anëtarësimit të FFK-së, 24 kundër dhe 2 abstenime dhe kësisoj Kosova u bë anëtarja e 55-të e kësaj organizate..