Kapiteni i FC Ballkani, Edvin Kuç për lexuesit e Albanian News, shpalosi të ardhmën e tij, derisa në fillim tha se ende vazhdojnë festën pas fitores së titullit kampion. “Është jashtëzakonisht nder të jem pjesë e klubit, i cili për herë të parë fiton titullin. Këtë trofe dëshiroi t’ia dedikoi Presidentit Arsim Kabashi, i cili asnjëherë nuk u dorëzua për këtë qëllim”.
Kuç i cili para tri vitesh erdhi në Suharekë, nga futbolli malazez, ka përshtypje të mira për qytetin, klubin dhe çdo gjë që e rrethon në shtëpinë e tij të dytë. “Prej momentit të parë këtu jam ndierë si në shtëpinë time. Vend i dashur dhe i qetë. Fakti që sot jam edhe kapiten tregon se klubi më ka respektuar maksimalisht”, tha Kuç.
Kapiteni portokalli e zi, ndeshjen vendimtare e vlerësoi fitoren e pranverës kundër Prishtinës në Podujevë. “Ne në minutat e fundit pësuam penallti, por fati ishte me ne. Së pari ata humbën atë gjuajtje, ndërsa ne në anën tjetër shënuam për të marrë tri pikë të vlefshme. Kjo ishte ndeshje për mbamendje”.
Futbollisti i lindur në Rozhajë, ka punuar me një sërë trajnerësh, derisa vlerëson Ilir Dajën. “Me të gjithë kam kaluar mirë, por dua ta veçoi trajnerin Daja, me të cilin edhe fituam titullin”.
Kuç në fund qetësoi tifozët “Xhebrailat”. “Do të vazhdoi të jem pjesë e skuadrës edhe më tej, Ky vend meriton edhe trofe tjerë”, përfundoi mesfushori qendror i Ballkanit.