I pari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi po qëndron në Gjermani ku po merr pjesë në garat e Kupës së Disaporës. Ademi duket më i përkushtuar se kurrë në zbatimin e programit të tij katërvjeçar.
Ademi e ka potencuar se synimi i tij është zhvillimi dhe mbështetja e FFK-së për futbollin në Diasporë dhe sigurisht që kjo e rrit entuziazmin dhe dashurin e mërgimtarëve për atdhe.
“Në programin tim pjesë e rëndësishme është edhe zhvillimi i futbollit në Diasporë dhe mbështetja e komunitetit të futbollit atje.
Këtë fundjavë po qëndroj në Offenbach ku po mbahen garat për Kupën e Diasporës në Gjermani, me pjesëmarrjen e 10 klubeve shqiptare.
Fituesi i kësaj gare si dhe fituesi i Kupës së Diasporës në Zvicër do të luajnë në vjeshtë me fituesin e Kupës së Kosovës për Superkupën Kosovë-Diasporë.
Bashkëatdhetarët tanë kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për vendin tonë në vazhdimësi, prandaj e kemi obligim që t’i mbështesim dhe t’u japim hapësirën e nevojshme për t’i promovuar vlerat e tyre edhe në futboll”, ka shkruar Agim Ademi në Facebook.