Osmani në Interaktiv të KTV’së ka thënë të premten se ajo nuk ka marrë ftesë si Kryetare e Kuvendit, t’u bashkohet aktiviteteve të ndryshme të Qeverisë.
Ndërkaq, nga Zyra e Kryeministrit nuk janë përgjigjur se nëse kanë dërguar ftesa në drejtim të kryeparlamentares Osmani.
Kjo e fundit, thotë se për shkak të qëndrimeve të saj politike, nuk po ftohet as në mbledhjet e Kryesisë së LDK’së.
Mirëpo, një gjë të tillë e ka mohuar i pari i kësaj partie, Isa Mustafa, raporton KOHA.
Në një përgjigje me shkrim ai ka thënë që Vjosa Osmani është ftuar në të gjitha mbledhjet e Këshillit të Përgjithshëm e të Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Znj. Osmani është ftuar në të gjitha mbledhjet e Këshillit të Përgjithshëm (edhe në ato të mbajtura në distancë) dhe të Kryesisë. Mbledhje formale të Kryesisë të ngushtë nuk ka, sepse s’ka Kryesi të ngushtë. Unë praktikoj të mbaj konsulta me nënkryetarë, veç e veç dhe me disa nga ata, varësisht nga temat, por jo mbledhje”, ka thënë Mustafa.
Osmani madje ka thënë që është diskutuar edhe për përjashtimin e saj nga partia. Gjë të cilën e ka mohuar Mustafa.
“Nuk është diskutuar për përjashtim të askujt, por është diskutuar për faktin se disa anëtarë të LDK-së që kanë pozita në LDK, po veprojnë kundër vendimeve dhe qëndrimeve të organeve të LDK-së”, ka thënë tutje ai.
Vjosa Osmani po ashtu ka shtuar se nuk është kundër një qeverie të udhëhequr nga Lidhja Demokratike e Kosovës, po është kundër asaj që formohet me ndihmën e presidentit Hashim Thaçi.