FC Ballkani në takimin e dytë ndaj skuadrës së La Fioritas në kuadër të Conference League, hynë i qetë dhe pa asnjë presion.
Kampionët e Kosovës kalimin në turin tjetër thuajase e kanë kryer në takimin e parë në San Marino.
Të portokalltit nga udhëtimi u kthyen pas rezultatit bindës, 0:4.
Megjithatë trajneri Ilir Daja ka paralajmëruar përqendrim maksimal të ekipit.
“Do jemi në përqendrimin maksimal sepse nuk do mendojmë se si ka dalë ndeshja në transfertë”.
Më pas Daja ka bërë të ditur se do të këtë ndryshime të vogla në formacion, më shumë detyruese.
“Po do të jetë formacioni kryesisht i ngjashëm pëveç mungesës së Jashanicës, i cili është dëmtuar në ndeshjen e parë dhe nuk do të jetë prezent nesër, një problem të vogël ka pasur edhe Emërllahu”.
Autori i një goli të realizuar në ndeshjen e parë, Meriton Korenica ka thënë se ekipi synon fitore edhe në ndeshjen e kthimit ndaj La Fioritas të San Marinos.
“Atmosfera në skuadër është shumë e mirë. Jemi gati për ndeshjen e kthimit. Ndeshjes do ti qasemi me seriozitet të lartë dhe do të hyjmë për të fituar edhe në ndeshjen e dytë”, tha Korenica në konferencën për shtyp.
Takimi luhet të sonte (e martë) prej orës 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Këtë takim mund ta ndiqni edhe në transmetim televiziv në kanalin Sport 1 në Art Motion.