Derisa tanimë të gjitha skuadrat kosovare janë duke u përgatitur për edicionin e ri të garave, FC Ballkani vazhdon i vetëm paraqitjet evropiane nga klubet kosovare, shkruan Albanian News.
Edhe sivjet gara si për titull ashtu edhe për Kupën e Kosovës do të jetë tejet e fortë, derisa luftë e madhe pritet edhe për tri vendet e para në tabelë që tashmë dërgojnë në garat ndërkombëtare, krahas fituesit të Kupës.
Por tek ne edicioni i ri zakonisht nis me ndeshjen e Superkupës. Derisa SuperLiga fillon me 13 gusht.
Këtë herë super-finalja i takon Ballkanit si kampion dhe Llapit si fitues i Kupës, por meqenëse Ballkani ka arritur të kualifikohet në rrethin e tretë në Conference League, gjasat janë që ndeshja finale të ketë një ndryshim sa i përket orarit.
Së shpejti pritet nga FFK të dalë me një njoftim zyrtar se kur do të luhet ndeshja finale.
FC Ballkani ndeshjen e radhës në Conference League e zhvillon të enjtën ndaj skuadrës nga Ishujt Faroe, Klaksvik, nga ora 20.00 në stadiumin “Fadil Vokrri”.