Në përpjeke për të shtensionuar situatën në pjesën veriore të Kosovës dhe për të gjetur zgjidhje për arritjen e marrëveshjes për targat, letërnjoftimet dhe marrëveshjen finale sot në Prishtinë do të zhvillojnë takime të rëndësishme dy emisarët, ai i SHBA-së dhe BE-së.
Derisa të martën për vizitë në Prishtinë erdhi i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, sot në takime me krerët e shtetit i bashkohet edhe i dërguari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak.
Telegrafi mëson se Escobar dhe Lajçak në orën 14:00 do të takohen me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, në orën 15:00 me kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.
Dyshja do të takohet edhe me liderët e partive opozitare në orën 16:00.
Pas këtyre takimeve, të enjten dy emisarët pritet të vizitojnë edhe pjesën veriore të vendit.