Federata e Futbollit të Kosovës, ka dënuar ashpër incidentin e ndhodhur në stadiumin “Fadil Vokrri”, pak minuta para fillimit të derbit, Prishtina dhe Ballkani. Para ndeshjes shikues nga tribuna e “Plisave” ishin vërsulur drejt tribunës së musafirëve, “Xhebrailat”, duke i sulmuar në mënyrë vandale. Me këtë rast edhe skuadra organizatore, Prishtina kishte dështuar në organizim, në momentin e incidentit nuk u pa asnjë pjesëmarrës i sigurimit në atë ambient.
Më posht e gjeni edhe reagimin e FFK-së
Reagim i FFK-së
Federata e Futbollit e Kosovës dënon ashpër incidentin e shkaktuar mbrëmë në kuadër të ndeshjes së xhiros së pestë të Albi Mall Superligës ndërmjet FC Prishtina dhe FC Ballkani në kryeqytet.
Stadiumi “Fadil Vokrri” dhe çdo stadium tjetër në Kosovë, duhet të jetë vendi ku tifozeritë në mënyrë të dinjitetshme marrin pjesë për të përkrahur skuadrat e tyre, por nuk duhet të shihen si arena për të shprehur mllefin personal apo grupor, duke shkaktuar incidente të tilla si në ndeshjen e mbrëmshme, kur tifozët e Prishtinës depërtuan nga pjesa e tribunës lindore në atë veriore dhe sulmuan tifozët e Ballkanit me mjete të forta. Po ashtu, nga organet e rendit është raportuar se në rrugën “Enver Zymberi” pak para fillimit të ndeshjes ka pasur edhe therrje me thikë pas një përleshje ndërmjet disa personave.
FFK dënon ashpër çdo akt dhune dhe çdo incident që cenon shëndetin e njeriut dhe të të gjithë pjesëmarrësve në stadiumet e futbollit.
Dhuna në njerëz por edhe vandalizmi është i papranueshëm dhe si të tillë duhet ta luftojmë.
FFK kërkon nga klubet të jenë dukshëm më të përgatitura në organizimin e ndeshjeve në mënyrë që të gjithë pjesëmarrësit në stadiume të ndihen të sigurt. Po ashtu, ftojmë klubet dhe organet e rendit që t’i identifikojnë personat e dhunshëm dhe t’u ndalohet hyrja në stadiume, ngase ata nuk ia dëshirojnë të mirën as klubit të tyre e as futbollit në përgjithësi.
Po ashtu, Shtëpia e Futbollit është gjithmonë në dispozicion për të asistuar sa herë që klubet kanë nevojë dhe kërkojnë ndihmë.