Këngëtarja e famshme, Dua Lipa, e lindur në Kosovë por që jeton në Londër, ka marrë edhe shtetësinë shqiptare. Ajo u prit nga presidenti i Shqopërisë, Bajram Begaj, i cili i ka dorëzuar dokumentin.
Begaj, në një postim në Facebook, ka shkruar se kishte kënaqësinë e veçantë t’i dorëzojë dekretin e shtetësisë shqiptare këngëtares së talentuar dhe të famshme në të gjithë botën.
“Në vigjilje të 110-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, nderojmë jo vetëm ato personalitete që në të shkuarën kontribuan dhe ndihmuan në krijimin e shtetit të ri shqiptar, por edhe të gjithë ata që me kontributin e tyre në çdo fushë të jetës i japin vlerë identitetin shqiptar dhe na bëjnë krenarë në çdo moment!”, shkruan ai.
Sipas presidentit Begaj, një artiste si Dua Lipa është një pasuri e rrallë për botën e muzikës dhe në të njëjtën kohë një krenari e jashtëzakonshme për Shqipërinë, Kosovën dhe kudo ku flitet shqip.
“Ajo është simbol i talentit, punës së përkushtuar dhe shkëlqimit artistik plotësisht të merituar!”, shkruan Begaj.