Prej shtatë ditësh, pjestarë të Policisë së Kosovës kanë mbetur të bllokuar në pjesën veriore të vendit, si pasojë e barikadave të vendosura nga serbët lokalë.
Këto barrikada u vendosën në shenjë proteste pikërisht nga serbët e veriut, të cilët synuan të pengojnë deportimin e Dejan Pantiqit, ish-polic serb, në Prishtinë.
Ndërkohë, pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak u mbyllen.
Burime të Indeksonline pranë policisë atje bëjnë të ditur se policët që po punojnë në Jarinje janë të njëjtit tash e shtatë ditë, prej kur filluan tensionet.
Ata po punojnë 24 orë në ditë, pa ndërrime, për shkak të bllokimit.
Të njëjtëve u kanë përfunduar rezervat ushqimore, teksa furnizimet me gjëra elementare po i bëjnë me mundësi minimale dhe me ushqim jo cilësor.
Indeksonline mëson se për shkak të këtyre kushteve të jashtëzakonshme të punës, ndihmuar këtu edhe nga kushtet e papërshtatshme atmosferike, policët kanë ngelur pa i ndërruar dhe pastruar uniformat e tyre.
Burime të Indeksonline thonë se interesimi i Qeverisë për të gjetur zgjidhje për këta policë dhe për t’i ndihmuar ata po mungon tash e sa ditë.
Burimet tregojnë që Qeveria, përkatësisht Ministria e Punëve të Brendshme, nuk është duke treguar kujdes dhe se si pasojë, policët atje edhe kanë rënë në peshë. Një informacion tjetër të cilin e merr vesh Indeksonline është edhe “kërcënimi” i policisë nga ana e MPB-së që nuk guxojnë të japin asnjë informacion për media.