Pas tensioneve të fundit në Veri, Kryeministri Albin Kurti ka kërkuar rritje të numrit të trupave të NATO-s në Kosovë.
“Një rritje e trupave dhe pajisjeve ushtarake të NATO-s në vendin tonë do të përmirësonte sigurinë dhe paqen në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha Kurti në një intervistë për gazetën gjermane “Welt”.
Aktualisht janë rreth 3,800 ushtarë të KFOR-it të vendosur në Kosovë, rreth 70 prej të cilëve janë gjermanë.
“Ushtarët gjermanë janë të mirëseardhur në Kosovë”, tha Kurti.
Kujtojmë që për 20 ditë, serbët lokalë vendosën barrikada nëpër rrugët në Veri në shenjë revolte për arrestimin e ish-policit Dejan Pantiq. Pas lirimit të tij nga paraburgimi në arrest shtëpiak, serbët morën vendim që t’i heqin barrikadat.