Komiteti i Parlamentit Europian për Liritë Civile, Drejtësi dhe Çështjet e Brendshme (LIBE) sot ka votuar pro marrëveshjes për liberalizimin e vizave për Kosovën – marrëveshje që u arrit në mes Parlamentit Europian, Këshillit dhe Presidencës së BE-së. Kjo dosje tashmë do të shkojë për t’u votuar në Parlamentin Europian.
Ky institucion në një përgjigje për Gazetën Express ka treguar datat se kur mund të ndodhë ky votim.
“Tash dosja do të shkojë në seancë plenare dhe vlerësimi aktual është se ajo do të jetë në seancën e dytë plenare të marsit ose të parën e prillit”.
Në faqen zyrtare të PE-së, seanca e dytë plenare planifikohet të mbahet më 29 dhe 30 mars, ndërsa ajo e prillit do të mbahet më 17 deri më 20.
Në votimin e sotëm të Komitetit të PE-së, 48 eurodeputetë votuan pro, 7 kundër dhe 3 abstenime.
Deputeti socialist nga Holanda, Thijs Reuten, i caktuar raportues për çështjen e vizave për Kosovën, pati deklaruar se PE do të nxitohet në këtë çështje meqë veçse e konsideron të vonuar.
Në shtator të 2018-ës, Parlamenti Europian pati votuar në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën, ndërsa zvarritjen e këtij procesi e pati konsideruar si të padrejtë për qytetarët e saj.
Pas votimit në PE, radha u vjen votimeve nga ambasadorët e BE’së dhe Këshillit të Ministrave me shumicë të thjeshtë.
Akti ligjor duhet të nënshkruhet nga përfaqësuesit e institucioneve të BE-së: Komisioni Europian, Këshilli Europian, Komisioni Europian dhe Parlamenti Europian.
Pastaj, vendimi duhet të publikohet në gazetën zyrtare dhe liberalizimi i vizave hyn në fuqi në afatin e dakorduar.
Ndryshe, Presidenca suedeze e Bashkimit Europian ka premtuar se do ta vazhdojë ritmin e paraardhëses së saj çeke për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Për hapat e radhës, Presidenca suedeze pati dhënë zotim se do të kryhen në muajt e parë të këtij viti.
“Është një marrëveshje politike mes Këshillit dhe Parlamentit Europian. Formalitetet e mbetura në lidhje me rregulloren pritet të ndodhin në muajt e parë të Presidencës së Suedisë”, ka thënë ditë më parë për Express një zyrtare për shtyp nga Presidenca e Suedisë në BE.
Sipas marrëveshjes së dakorduar, udhëtimi pa viza për kosovarët do të zbatohet nga data e fillimit të funksionimit të sistemit ETIAS – një kërkesë kjo e shtetit francez – dhe nëse vonohet funksionimi i këtij sistemi, liberalizimi do të ndodhë jo më vonë se 1 janari i vitit 2024.
Hapat e ardhshëm:
Parlamenti Europian voton për liberalizimit të vizave
Ambasadorët e BE-së votojnë me shumicë të thjeshtë për liberalizimin e vizave
Këshilli i Ministrave të BE-së miraton me shumicë të thjeshtë liberalizimin e vizave
Akti ligjor duhet të nënshkruhet nga përfaqësuesit e institucioneve të BE-së: Komisioni Europian, Këshilli Europian, Komisioni Europian dhe Parlamenti Europian
Vendimi duhet të publikohet në gazetën zyrtare
Liberalizimi i vizave hyn në fuqi në afatin e dakorduar.