Ermal Krasniqi ka nisur të lërë gjurmë qysh në fillim të eksperiencës së tij rumune.
Ylli kosovar pasi shkëlqeu me Ballkanin, me ritëm të njëjtë po vazhdon edhe në ekipin e tij të ri, CFR Cluj.
24 vjeçari kontribuoi me një gol dhe një asistim në fitoren e skuadrës së tij të re ndaj Farul Costanta me rezultat 3:0 në kuadër të xhiros së 22-të të Ligës 1, shkruan “Gazeta Express”.
Drejtuesit e klubit rumun kanë mbetur të mahnitur me paraqitjet e futbollistit ofanziv.
Aksionari i klubit, Stefan Gadola është deklaruar i magjepsur nga futbollisti kosovar në ndeshjen e tij të parë zyrtare me ekipin e ri.
“Krasniqi ishte përrallor. Kjo do të thotë profesionizëm, i përgëzoj ata që e sollën në ekip këtë djalosh, ata që e propozuan dhe ata që e dhanë pëlqimin”, deklaroi biznesmeni rumun për mediumin e atjeshëm “GSP.ro”, përcjell “Gazeta Express”.
E futbollistin kosovar e ka lavdëruar tej mase edhe trajneri i tij i ri, Dan Petrescu.
Trajneri rumun shpreson që ta ketë sa më gjatë në dispozicion futbollistin e krahut, shkruan “Gazeta Express”.
“Ishte një ndeshje perfekte. Nuk e kam menduar kurrë as në ëndrrat e mia më të çmendura se mund të fitonim 3:0. Goli i parë ishte më i rëndësishmi, na dha krahë. Ishte një gol i jashtëzakonshëm nga një lojtar që nuk më befason. Krasniqin e kam dashur më së shumti. E njoh, shpresoj të mos e shesim shpejt. Nëse vjen një ofertë e madhe dhe nuk kemi çfarë të bëjmë, ok, por do të doja ta stërvitja më shumë, sa më gjatë. Kishte shumë skuadra që ishin të mërzitura për humbjen e tij. Një karakter i jashtëzakonshëm, modest, i denjë”, tha Petrescu pas lojës.
Ermal Krasniqi pritet ta ketë një karrierë të suksesshme, ndërsa shenjat e para i ka dhënë qysh tash, në fillim të eksperiencës evropiane. /Gazeta Express/