Studentë e qytetar kanë protestuar të mërkurën kundër formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, protestë kjo e organizuar nga Parlamenti i studentëve të Universitetit të Prishtinës, raporton Ekonomia Online.
Në këtë protestë në të cilën dominonin kryesisht flamujt kombëtar, thirrjet e protestuesve ishin që të “Zajdenica” nuk duhej që të formohej.
Alba Lala, nënkryetare e Parlamenti Studentor, tha se formimi i Asociacionit një etnik është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.Sipas saj Asociacioni njëetnik ka rrezik të shndërrohet në shtet brenda shtetit.
“Ky Asociacion një etnik është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës sonë, ky Asociacion nuk avancon të drejtat e serbëve por i instrumentalizon ata dhe avancon Serbinë në Kosovë, e si rrjedhojë e se cilës pashmangshëm krijohet destabilitet. E kaluara në vendet e rajonit na ka dëshmuar që Asociacioni një etnik ka rrezik të shndërrohet në shtet brenda shtetit, thellon ndarjen etnike, nxit më shumë përçarje”, tha Lala.
Bleron Beka, nënkryetar i Parlamentit Studentor, tha se Asociacioni nuk është dhe nuk do të jetë asnjëherë vullnet i popullit të Kosovës.
“Asociacioni i komunave me shumicë serbe është arsyeja e tubimit e marshimit tonë sot, në 53 vjetorin e UP-së, 2 ditë para përvjetorit të 15-të pavarësisë në kujtim të kontributit të qytetarëve studentëve para luftës së fundit, në kujtim të heronjve të luftës, e kontributdhënësve të pasluftës. Kosova është shtet demokratik dhe si i tillë është vullneti i popullit ai i cili e përcakton fatin e shtetit, andaj Asociacioni nuk është dhe asnjëherë nuk do të jetë vullnet i popullit të Republikës së Kosovës. Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të thotë me shumë të drejta për komunitetin serb por në realitet qëllim parësor ka të shtrojë më shumë ndikim të Serbisë në Kosovë. Shteti jonë multietnik nuk toleron Asociacion monoetnik”, tha Beka.
Krahas studentëve, në protestë janë parë edhe deputetë të Kuvendit, siç është ai i Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Dehari, ish-kryetari i Mitrovicës, po nga VV-ja, Agim Bahtiri; e qytetarë të tjerë.Në këtë protestë po dominojnë flamurët kombëtarë, një gjë e zakonshme në protestat e Vetëvendosjes.