Kryeministri Albin Kurti ka vendosur që t’i kursejë ministrat e tij për 15 vjetorin e pavarësisë, duke u thënë se s’i takon që sot të jetë i ashpër me ta.
Në mbledhjen solmene të Qeverisë, Kurti tha se ka boll ditë të tjera të vitit për “kritikën edhe vetëkritikën, natyrisht edhe mbajtjen e përgjegjësisë”.
“Në këtë festë të pavarësisë nuk më takon të jem i ashpër me juve. Ka boll ditë të tjera të vitit, kur do të mund të zhvillojmë aktivitetin tonë të përditshëm që përfshin edhe punën edhe nxitjen, edhe kritikën edhe vetëkritikën, natyrisht edhe mbajtjen e përgjegjësisë, sepse të qenit anëtar i një qeverie do të thotë mbi të gjithat, marrjen përsipër të përgjegjësive. Meritat, siç e thashë më parë, në radhë të parë i përkasin qytetarëve tanë, punëtorëve, studentëve, biznesmenëve, njerëzve të zanateve të ndryshme, të kulturës, të sportit, të cilët me kontributin e tyre të përditshëm e bëjnë Kosovën kjo që është, një vend në përmirësim të vazhdueshëm”, ka thënë Kurti në këtë mbledhje.