Dje kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar disa takime në kuadër të Konferencës së Mynihut. Ai është takuar me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak. Takime ai ka pasur edhe me senatorë amerikanë.
ZKM përmes komunikatave ka njoftuar se në takimin me Borrell e Lajçak është diskutuar për procesin e dialogut dhe propozimin evropian dhe për takimin e radhës së nivelit të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq që u caktua të mbahet më 27 shkurt në Bruksel.
“Përfaqësuesi i Lartë, i mbështetur nga Përfaqësuesi Special i BE-së, Miroslav Lajçak, do të zhvillojë takime të veçanta me liderët, pasuar nga një takim i përbashkët. Në takim do të diskutohet për Propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thuhej në njoftimin e BE-së.
Ndërsa, Borrell përmes një cicërime në Tëitter tha se normalizimi i raporteve me Serbinë është kyç për rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian.
“U takova me Kurtin në #MSC2023 për të diskutuar për nevojën për avancim të propozimit të BE-së për normalizim raportesh me Serbinë, që është kyç për rrugën e Kosovës drejt BE-së. Do të takohemi në Bruksel për takim në nivel të lartë më 27 shkurt”, ka shkruar Borrell në Tëitter pas takimit me Kurtin.
Po ashtu, Kurti pati takime edhe me senatorë amerikanë.
Kurti është takuar me senatorin amerikan Bob Menendez, njëherësh Kryetar i Komisionit të Senatit të Shteteve të Bashkuara për Marrëdhëniet me Jashtë. Ata diskutuan për marrëdhëniet bilaterale, partneritetin e ngushtë ndërmjet dy vendeve dhe fuqizimin e mëtejmë të tij.
Në takimin e mbajtur dje në kuadër të Konferencën e Sigurisë në Mynih, Kryeministri Kurti e njoftoi senatorin për rezultatet e deritanishme të qeverisë, me theks te sundimi i ligjit.
Sipas komunikatës së ZKM’së, Kurti e falënderoi senatorin Menendez për mbështetjen aktive të tij ndaj Kosovës në Senatin amerikan.
“Folën edhe për procesin e dialogut, raportin me Serbinë dhe propozimin evropian, me ç’rast kryeministri Kurti e njoftoi senatorin Menendez për qëndrimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe konstruktivitetin e treguar përgjatë tërë procesit”.
Ai takoi edhe dy senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Chris Van Hollen.
Siç njofton ZKM, në këtë takim është diskutuar për situatën e sigurisë në rajon dhe për zhvillimet e fundit. Lidhur me dialogun për normalizim me Serbinë dhe propozimin evropian, Kurti ka thënë se Kosova do të ketë angazhim konstruktiv dhe të vazhdueshëm në këtë proces.
Kryeministri Kurti falënderoi senatorët Shaheen dhe Van Hollen për ndihmën, mbështetjen dhe interesimin e vazhdueshëm të tyre dhe të ShBA-ve për Kosovën.