Indeksonline raportoi mbrëmë që në xhaminë e fshatit Halabak të Podujevës ka ndodhur një rrahje.
Burime të Indeksonline kanë bërë të ditur se policia ka shoqëruar në stacion policor shtatë persona, si të dyshuar për përfshirje në sherr.
Rreth këtij sherri ka reaguar Këshilli I Bashkësisë Islame në Podujevë.
Përmes një njoftimi ata kanë bërë të ditur se kanë marrë vendim ta mbyllin xhaminë përkohësisht deri në një vendim tjetër.
‘’Bashkësia Islame tërë angazhimin e saj po e bënë për të ruajtur qetësinë mes banorëve. Duhet ditur se xhamitë janë vend paqeje dhe i qetësisë shpirtërore, ndaj bëjmë thirrje për përmbajtje dhe mirëkuptim deri te një vendim sa më unifikues’’, thuhet në njoftimin e KBI.
Njoftimi I plotë:
Të nderuar!
Këshilli i Bashkësisë Islame në Podujevë është i shqetësuar dhe e dënon incidentin e ndodhur mbrëmë afër xhamisë së fshatit Halabak.
Njoftojmë opinionin publik se ne më parë për atë xhami kishim lëshuar autorizim për kryerje të riteve fetare deri në një vendim i cili do të ishte unifikues për të gjithë banorët e atij fshati.
Tani, kur pakënaqësitë janë thelluar, ne, përkohësisht e kemi mbyllur xhaminë, deri në një vendim tjetër.
Bashkësia Islame tërë angazhimin e saj po e bënë për të ruajtur qetësinë mes banorëve. Duhet ditur se xhamitë janë vend paqeje dhe i qetësisë shpirtërore, ndaj bëjmë thirrje për përmbajtje dhe mirëkuptim deri te një vendim sa më unifikues.