Gjatë ditës së dytë të pjesëmarrjes në Konferencën e Sigurisë në Mynih, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti takoi kongresistët amerikanë, Mike Turner, Michael McCaul, Jake Ellzey, Rich McCormick dhe Darrell Issa.
Ai i njoftoi kongresistët me punën e Qeverisë dhe planet përpara, arritjet më të shënuara në sundimin e ligjit dhe progresin në rrafshin ekonomik.
Diskutuan për implikimet që ka pasur dhe rreziqet që vazhdon t’i paraqes invazioni dhe agresioni Rus në Ukrainë për kontinentin, në veçanti për Ballkanin Perëndimor.
Kryeministri theksoi që reagimi dhe rreshtimi i Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në dënimin dhe vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë ka qenë i menjëhershëm.
Kongresistët shprehën interesim për procesin e dialogut në Bruksel dhe propozimin evropian për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kryeministri ndau me ta qëndrimet e Qeverisë, duke theksuar që ai e konsideron të pranueshëm propozimin evropian si bazë të mirë dhe platformë solide për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut në Bruksel.
Kurti është deklaruar në lidhje me vizitën e tij në Gjermani edhe në Facebook.
Ai tha se kjo vizitë ishte me shumë takime dhe shkëmbime.
Duke përmnedur takimet që pati me zyrtarë të lartë të shteteve të huaja, Kurti tha se është diskutuar për marrëdhëniet e Kosovës me këto shtete.
Po ashtu ai ka falënderuar përfaqëuesite Italiasë, Suedisë, SHBA-ve, e Suedisë për bashkëpunimin me Kosovën.
Postimi i plotë:
Edhe dita e dytë, dhe e fundit, e Konferencës së Sigurisë në Mynih ishte me shumë takime dhe shkëmbime.
Me kryeministren e Lituanisë, Ingrida Simonyte, në takimin tonë të parë bilateral, biseduam për marrëdhëniet dypalëshe dhe për mundësitë e thellimit të tyre, me theks në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Për avancimin demokratik të Kosovës në dy vitet e fundit, marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Suedisë dhe aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE dhe Këshillin e Evropës, bisedova me kryeministrin suedez, Ulf Kristersson. Atë e falënderova për përkrahjen ndër vite dhe të pandërprerë të Suedisë ndaj vendit tonë.
Ndërkaq me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Italisë, Antonio Tajani, folëm për forumin ekonomik Italian në Kosovë, që do të mbahet këtë vit, dhe për përfitimet që ky forum mund të sjellë në shtimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar ndërmjet dy vendeve tona.
Në Mynih u takova edhe me Komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, Admiralin Stuart Munsch. Për vitin e dytë radhazi, Kosova do të jetë vend mikpritës dhe pjesëmarrës, kësaj radhe me 1365 ushtarë të FSK-së, në stërvitjet ushtarake të udhëhequra nga ushtria amerikane.
Implikimet që ka pasur dhe rreziqet që vazhdon t’i paraqes invazioni dhe agresioni Rus në Ukrainë për kontinentin, në veçanti Ballkanin Perëndimor, dhe miqësia, partneriteti dhe aleanca ndërmjet Kosovës dhe ShBA-ve, ishin temat të cilat i diskutuam bashkë me kongresistët amerikanë, Mike Turner, Michael McCaul, Jake Ellzey, Rich McCormick dhe Darrell Issa.
Kurse me ish-kongresistin amerikan, tash Drejtuesin Ekzekutiv të Komitetit Amerikano-Hebre, Theodore Deutch, folëm për miqësinë e kahmotshme dhe raportin përherë e më të avancuar mes dy popujve tanë dhe tash shtetit të Kosovës dhe shtetit të Izraelit.