Një nga karotat që është përdorur nga ndërkombëtarët për ta shtyrë Kosovën që të pranojë marrëveshjen e Ohrit ka qenë njohja e pavarësisë nga pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian. Pritjet i kishte rritur edhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken i cili gjatë një seancë në Senatin Amerikan kishte deklaruar se Ohri do të lëviz pozicionet e pesëshes për pavarësinë e Kosovës.
Por, kur kanë kaluar më shumë se një muaj nga arritja e pajtimit në qytetin turistik të Maqedonisë së Veriut, përveç që s’ka lëvizje të pozicioneve të pesëshes, kundër Kosovës i ka dalë edhe Hungaria e Viktor Orbanit.
Qëndrimi problematik i Budapestit zyrtar është shpërfaqur në votimin që ka ndodhur për pranimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës.
Ky kundërshtim i Orbanit për Kosovën duket se ka ardhur si rezultat i forcimit të raporteve të tij me Aleksander Vuçiqin dhe shefin e diplomacisë serbe, Ivica Daçiq.
Kundër anëtarësimit të Kosovës kanë votuar edhe Spanja, Rumania, dhe Qipro. Spanja përveç mosndryshimit të qëndrimit për pavarësinë dhe votës kundër në Këshillin e Evropës, do të jetë edhe vendi i vetëm ku kosovarët s’do të mund të udhëtojnë pa viza edhe përkundër liberalizimit të vizave.
Kreu i diplomacisë spanjolle Jose Manuel Albares ka thënë se Madridi zyrtar vazhdon të mbajë qëndrimin mosnjohës ndaj Kosovës dhe si rrjedhojë s’i njohin as dokumentet e Republikës së Kosovës.
“Spanja ka politikën e saj të mosnjohjes së Kosovës dhe kjo përfshin mosnjohjen e pasaportës së Kosovës, siç kemi bërë në mënyrë konsekuente deri më tani”, ka deklaruar Albares gjatë një vizite në Berlin ditë më parë.
Qëndrim s’kanë ndërruar as Greqia e Nikos Dendias, shtet ky që ka vendosur të japë votë abstenuese për Kosovën në Këshill të Evropës, edhe pse ishte menduar që ka një lëvizje të Athinës zyrtare drejt njohjes së Kosovës. Abstenimit të Greqisë në procesin e anëtarësimit në Këshill të Evropës i është shtuar edhe Sllovakia e Miroslav Lajçak, emisarit që ndërmjetëson bisedimet e që ka negociuar marrëveshjen e Ohrit.
Reagime të shumta dhe zhurmë e madhe është bërë edhe për votën kundër që ka dhënë Serbia. Republika e Kosovës ka konsideruar se një vendim i tillë i Serbisë është shkelje e marrëveshjes së Ohrit ku Beogradi zyrtar është pajtuar që të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Megjithatë nga Brukseli kanë rezistuar në mënyrë kategorike që të konstatojnë se marrëveshja e Ohrit është shkelur nga ana e Serbisë me votën kundër në Strasburg.
Por pavarësisht këtyre votave kundër dhe abstenimeve, aplikacioni i Kosovës ka arritur që ta kalojë fazën e parë të Komiteti të Ministrave dhe të dërgohet për në Asamblenë Parlamentare. Për ecjen tutje të dosjes së Kosovës rol të madh do të luajë Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, implementimi i Marrëveshjes së Deçanit dhe Projektkodi civil i cili ndërlidhet direkt me të drejtat dhe liritë e njeriut./Ekpress/