Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke folur për kritikat dhe akuzat e ShBA-së, për moskoordinim sa i përket aksionit në veri, ka deklaruar se është normale të mos pajtohesh nganjëherë me ta.
Në një intervistë për emisionin “Konfront” të KTV-së, Kurti tha se është populli i Kosovës ai që e ka sjellë në pushtet dhe jo ambasadori.
Tutje ai tha se nga të gjithë ambasadorët respektin më të vecantë e ka për ambasadorin e ShBA-së, në Kosovë, Jeff Hovenier.
“Ata e kanë gjithnjë e më të qartë dhe unë do t’i bindi më kollaj nëse më ndihmoni më shumë (për sjelljet e Serbisë).
Por, edhe nëse nuk më ndihmoni, bindja do të ndodhë, sepse Republika e Kosovës është ndërtuar me gjakun e dëshmorëve dhe martirëve. Në anën tjetër Republikën e mban Kushtetuta me ligj dhe institucione. Këtij populli unë duhet t’i dal zot, sepse për këtë më kanë sjellë në këtë karrige. Unë kam vlerësimin dhe respektin më të lartë për ambasadorin Hovenier, mund të them në mënyrë fort të veçantë krahasuar edhe me të gjithë ambasadorët e tjerë, por mua më ka votuar populli, nuk më ka emëruar ambasadori.
Duhet ta kuptoni këtë gjë, mua më ka votuar populli i Kosovës, populli i Kosovës të voton, populli edhe të heqë. Nuk është emërim kryeministri, kryeministri është zgjedhje e atij që është burim i sovranitetit”, ka thënë Kurti.
Megjithatë sipas tij, ai ka bashkëpunim të vazhdueshëm me ndërkombëtarët e në veçanti me ambasadorin e ShBA-së.