Zgjedhje të reja në Veri përmes peticionit të nënshkruar nga serbët është opsion i pranueshëm për dy krerët e shtetit, kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani. Sot Kurti e para një jave Osmani kanë thënë se që kjo është mënyrë “më e drejtë” dhe “më demokratike”. Mirëpo para shpalljes së zgjedhjeve të reja, Osmani dhe Kurti kanë nga një kërkesë, ndërkaq për të marrë pjesë në këtë proces kushte ka edhe Lista Serbe.
Zgjedhje të reja janë një nga kërkesat që SHBA dhe BE i kanë parashtruar Kosovës si një nga hapat për deeskalim të situatës që u tensionua pas hyrjes së kryetarëve nëpër objekte komunale.
Mirëpo, për shpalljen e tyre, ekzistojnë dy rrugë. E para është ajo përmes dorëheqjes së kryetarëve aktualë, ndërsa e dyta përmes një peticioni të nënshkruar nga serbët.
Për çështjen e shpalljes së zgjedhjeve të reja janë deklaruar edhe presidentja Osmani edhe kryeministri Kurti. Të dytë janë pajtuar që zgjedhjet në Veri të shpallen pas nënshkrimit të peticionit.
Sot Kurti në një konferencë për media ka thënë se kryetarët në Veri nuk janë zgjedhur për t’u dorëhequr, derisa ka shtuar se nuk ka “të drejtë” ta kërkojë dorëheqjen e tyre.
Ai tha se peticioni është mundësi “më e drejtë, më e arsyeshme dhe më e dobishme”.
“Dorëheqja është akt moral, ata nuk janë zgjedhur për t’u dorëhequr, unë besoj që nuk iu vjen mirë as vetë kryetarëve që ka pasë pjesëmarrje kaq të ulët, asnjë kryetar nuk dëshiron që të ketë kaq pak dalje në zgjedhje. Zgjidhja për zgjedhje duhet të jetë ligjore por unë nuk kam as të drejtë ligjore, institucionale dhe kushtetuese që të kërkojë dorëheqjen e tyre, dhe këtë s’e bëj dot as nga pikëpamjet e mia politike dhe etike. Duhet zgjidhje tjetër për zgjedhje të reja, që gjithashtu duhet të jetë ligjore. Presidentja Osmani e ka përmend një mundësi, që nëpërmjet nënshkrimit të qytetarëve të vijmë në atë situatë, që për bindjen time është edhe më e drejtë më e arsyeshme dhe më e dobishme”, tha ai.
Pro zgjedhjeve të reja është deklaruar edhe presidentja Osmani pas takimeve me Presidentin e Francës dhe Kancelarit të Gjermanisë në Moldavi. Pastaj në një intervistë për Reuters, ka thënë se zgjedhjet e reja mund të shpallen nëse 20 për qind e votuesve nënshkruajnë një peticion me këtë kërkesë.
Sipas Osmanit, peticioni është “mënyra më demokratike” për shpallje të zgjedhjeve.
“Në këtë mënyrë, mendoj që garantojmë pjesëmarrjen e serbëve, sepse kërkesa do të duhej të vinte prej tyre, prej qytetarëve”, ka thënë ajo për Reuters më 7 qershor.
Kushtet e Osmanit dhe Kurtit para shpalljes së zgjedhjeve të reja dhe të Listës Serbe për të marrë pjesë në to
Por para se të shpallen zgjedhjet e reja, Osmani dhe Kurti kanë nga një kërkesë.
Kryeministri Kurti tha që zgjedhjet në Veri duhet të shpallen pas sundimit të ligjit dhe përgatitjes së terrenit.
“E dyta është që në përputhje me largimin e këtyre grupeve dhe përfundimit të të gjitha trazirave të dhunshme, të kemi zvogëlim të pranisë së policisë nëpër ndërtesa komunale në tri komunat në veri dhe më pastaj do të mund të angazhoheshim në një proces fer, demokratik zgjedhor për zgjedhjet e parakohshme sepse jemi të vetëdijshëm që dalja ka qenë shumë e ulët herën e kaluar. Pra, po zgjedhje të reja, zgjedhje të parakohshme, por pas sundimit të ligjit dhe pas përgatitjes së terrenit”, tha Kurti.
Ndërkaq, Osmani për Reuters ka thënë se para se të shpallen zgjedhjet e reja, Kosova duhet të marrë garanci nga komuniteti ndërkombëtar që Beogradi nuk do të ndërhyjë.
Në zgjedhjet e 23 prillit, Lista Serbe nuk ka marrë pjesë për shkak se nuk u janë plotësuar kushtet që i kanë parashtruar. Përveç kësaj, ata kanë bërë thirrje që qytetarët serbë në katër komunat të mos dalin të votojnë, gjë që ka ndikuar që të ketë dalje të ulët.
Në rast se mbahen zgjedhje të reja, Lista Serbe prapë ka kërkesa. Ata kanë përmendur tërheqjen e njësiteve speciale të Policisë së Kosovës nga veriu, largimin e kryetarëve të rinj shqiptarë nga ndërtesat komunale, dhe formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Nga procesi zgjedhor që u mbajt më 23 prill, fitues dolën Erden Atiq në Mitrovicë të Veriut, Lulzim Hetemi në Leposaviq, Izmir Zeqiri në Zubin Potok dhe Ilir Peci në Zveçan.
Dy kryetarët nga radhët e VV-së, Atiq dhe Hetemi kanë vendosur që detyrën e tyre ta kryejnë nga objektet komunale. Hetemi ka hyrë në komunë të hënën e 29 majit dhe që atëherë nuk ka dalë prej aty, njëjtë raportohet edhe për Atiq.
KQZ e gatshme për organizimin e zgjedhjeve në rast se shpallen ato, OSBE thotë se do t’i ndihmojë
Në rast se shpallen zgjedhjet e reja, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i gatshëm për të kryer detyrat e veta që dalin nga Kushtetuta e Kosovës. Kështu tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një përgjigje për Express.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, si institucion i përhershëm kushtetues, e ka për detyrë kryesore organizimin e zgjedhjeve kurdo që ato shpallen. Si çdoherë, ashtu siç kemi thënë edhe në të kaluarën, KQZ-ja është e gatshme për të përmbushur detyrat që dalin nga Kushtetuta dhe ligjet në fuqi”, tha Elezi.
Ndërkaq, kreu i misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, pas takimit me emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak, tha se OSBE do të ndihmojë Komisionin Qendror Zgjedhor në “zgjedhjet gjithëpërfshirëse”.
“Me Miroslav Lajcak sot u theksua rëndësia e progresit në dialogun e lehtësuar nga BE dhe pjesëmarrjen e plotë të të gjitha komuniteteve në institucione dhe zgjedhje. OSBE në Kosovë qëndron fuqishëm përkrah KFOR-it dhe EULEX-it në përmbushjen e mandateve tona përkatëse në Kosovë. Mbështetje e fortë për thirrjen e BE-së për depërshkallëzimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve gjithëpërfshirëse në komunat veriore. OSBE do të ndihmojë institucionet e Kosovës, përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për të ofruar integrim dhe dialog duke përfshirë të gjitha komunitetet”, ka shkruar ai në Tëitter më 6 qershor. /GazetaExpress/