Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka bërë të ditur se i ka kërkuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që të ndryshohet formati i mbledhjes së dy qeverive që është paraparë të mbahet në Gjakovë të mërkurën por ai nuk ka pranuar
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka konfirmuar se është anuluar mbledhja e përbashkët në mes Qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë, e planifikuar të mbahej të mërkurën e 14 qershorit në Gjakovë.
“Në kushtet e agravimit me orë të marrëdhënieve të Kosovës me bashkësinë euroatlantike, ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar, pasi kam folur pasdite me kryediplomatin Josep Borrell i kam kërkuar Kurtit të takohemi në Gjakovë në një format më të ngushtë me ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes për të diskutuar për këtë situatë”, ka thënë Rama.
I pari i Shqipërisë ka bërë të ditur se nuk ka pasur dakordim nga ana e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të ndryshuar formatin, por të mbahet mbledhja normalisht sikur herëve të kaluara.
“E kam ftuar Kurtin për të diskutuar për këtë situatë për ta afruar Kosovën me bashkësinë euroatlantike, ku marrëdhëniet e tyre janë në një pikë të paimagjinueshme, ku këta të fundit po konsiderojnë sanksione kundër shtetit që e krijuan vetë. Nuk kemi pasur dakord me Kurtin për ndryshim të formatit, ai ka kërkuar që mbledhja të bëhet normalisht, veç të diskutojmë për këtë. Por, kjo nuk është e mundur, sepse nuk është një moment për të krijuar një pasqyrë të rreme të asaj që në fakt ndodh në realitetin e Kosovës sot. Mbase, nuk është një përgjigje përfundimtare nga Kurti. Unë shpresoj që mund të takohemi për të ballafaquar opinionet, në kushtet kur jemi në prag të planit për sanksione kundër shtetit që e krijuan vetë. Kur jemi në prag të lëvizjes së planit se nuk ma zë as goja të flas, për sanksionet, të masave shtrënguese ndaj një shteti që është krijuar nga ata që janë qartësisht në sosje të durimit”, ka vijuar Rama.
Ndër të tjera, Rama tha se ka një frikë se “ajo që është në plan, realisht shumë i rëndë për Kosovën do të vihet në lëvizje” nëse kryeministri Kurti vazhdon me veprimet e njëjta.
Sipas tij, halli nuk është vetëm i Kosovës, por i gjithë kombit shqiptar.
Ai ka theksuar se Shqipëria nuk operon e izoluar dhe se marrëdhënia e Shqipërisë me Kosovën është është marrëdhënie vëllazërie, por se Shqipëria është shtet dhe pjesë e pandashme e bashkësisë euroatlantike.
“Shqipëria nuk është një UFO. Shqipëria nuk operon e izoluar dhe marrëdhënia e Shqipërisë me Kosovën është një marrëdhënie vëllazërie, por Shqipëria është një shtet i cili është pjesë e pandashme e Bashkësisë euroatlantike dhe nuk ka asnjë shkak që Shqipëria të zhvendoset nga boshti i sigurisë euroatlantike për kush e di se çfarë…ne mendojmë 100 për qind njësoj siç mendojnë aleatët tanë në këtë rast”.
Ai ka theksuar se në këtë situatë pajtohet me partnerët ndërkombëtarë se nuk po veprohet si duhet.
“Kur disa prej parterëve i thoshin Albinit dhe autoriteteve të Kosovës ‘mos i mbani zgjedhjet në veri’, unë isha njëqind për qind me Albinin se zgjedhjet do të duheshin mbajtur sepse bojkoti i serbëve nuk mund të fitonte statusin e instrumentit fatal për Republikën e Kosovës që s’duam ne të marrim pjesë e s’bëhen zgjedhjet. Në atë rast, kam dhënë edhe unë kontributin tim modest që partnerët të kuptonin se këtu nuk ishte çështje e një tekeje të Albin Kurtit, por një qëndrim parimor e për mua, i saktë, mirëpo sot, jo vetëm që nuk ndajmë opinionin mbi mënyrën se si po veprohet, por ne si vend jemi 100 për qind kundër mënyrës si po veprohet”, ka theksuar Rama.
Ndërsa më herët, Qeveria e Kosovës ka publikuar agjendën e mbledhjes së përbashkët të Qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë që parapahej të mbahej nesër.
Në këtë mbledhje ishte planifikuar edhe takimi i kryetarëve të komunave të zonave kufitare në të dyja vendet, ku pritej të diskutoheshin që sfidat të kthehen në mundësi dhe në përfitim për qytetarët.