Kryeministri Albin Kurti ka reaguar lidhur me vendimin e Gjykatës serbe për të lënë në paraburgim 3 policët e Kosovës, që u morën peng dhe më pas u vunë në pranga nga forcat speciale serbe në afërsi të Leposaviç.
Gjatë fjalës së tij në Forumin e Prespës në Strugë Kurti tha se prokurori në Serbi ka hedhur poshtë akuzat për terrorizëm kundër tre policëve të arrestuar të Kosovës, ndërsa ka mbajtur në fuqi vetëm akuzat për posedim të paligjshëm të armëve.
“Dua ta falënderoj Departamentin amerikan të Shtetit që kërkoi lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve të Kosovës. Kjo është rruga përpara. Së pari, këta policë duhet të kthehen, por, në të njëjtën kohë, bashkësia ndërkombëtare duhet ta dënojë me vendosmëri dhe qartë agresionin e Serbisë në Kosovë”, tha ai.
Ai, po ashtu, tha se NATO-ja duhet të dënojë shkeljen që, sipas tij, i bëri Serbia Marrëveshjes së Kumanovës, e cila i dha fund luftës në Kosovë më 1999. Tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës u arrestuan nga forcat serbe më 14 qershor. Qeveria e Kosovës e konsideron aktin si “rrëmbim” në territorin e saj.