Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me të cilin kanë folur për situatën në veri të Kosovës dhe nevojën për de-eskalim të situatës.
Sekretari Blinken, në njoftimin e tij ka thënë se sot ka biseduar me kryeministrin Albin Kurti për t’i kërkuar de-eskalim në veri të Kosovës dhe gjithashtu një kthim të menjëhershëm në dialogun e ndërmjetësuar nga bashkimi Evropian.
Blinken në këtë bisedë ka theksuar se plani tre pikësh i Bashkimit Evropian është rruga përpara.
Lidhur me këtë bisedë të zhvilluar detaje ka dhënë edhe zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller. Ai ka treguar se Sekretari Blinken i ka kërkuar kryeministrin Kurti që kryetarët e 4 komunave veriore të punojnë nga lokacione alternative.
Gjithashtu Miller ka treguar se Sekretari Blinken e ka falendëruar Kurtin për pjesëmarrjen në takimin e 22 qershorit në Bruksel.
“Sekretari i Shtetit, Antony J. Blinken, ka biseduar sot me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për të kërkuar de-përshkallëzimin e menjëhershëm në veri të Kosovës, duke përfshirë thirrjen e vazhdueshme që kryetarët e komunave të punojnë nga lokacione alternative. Sekretari gjithashtu përsëriti mbështetjen e SHBA-së për planin trepikësh të BE-së dhe falënderoi kryeministrin Kurti për pjesëmarrjen e tij në takimin e liderëve të 22 qershorit në Bruksel”, ka thënë Miller.