Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) të premten ka vendosur që të pengojë funksionimin e punës në Kuvendit të Kosovës, sa herë që mbahen seancat.
Reagimi i kësaj organizate ndodh për shkak të përjashtimit të veteranëve nga paga minimale, që është miratuar në lexim të dytë të enjten në Kuvendin e Kosovës.
Pas mbledhjes së OVL-UÇK, u bë e ditur se do të përkrahin protestën e nesërme (e shtunë) që do të nis nga ora 18:00, por që paralajmëruan edhe protesta të tjera.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku tha se Kuvendi i Kosovës jashtëligjshëm ka miratuar Ligjin për pagën minimale, i cili nuk përfshin veteranët e luftës.
Ai theksoi se nga viti i kaluar kanë bërë të ditur qëndrimet e organizatës që do të pengojnë punën e institucioneve, në rast se nuk merren parasysh kërkesat e tyre.
“Kryesia i mori disa vendime, së pari për të kundërshtuar këto gjëra që i ka bërë qeveria jo vetëm ndaj neve, por që po mundohet që të shkelë të gjithë. Qoftë me sindikatat që e ka shpallur luftën më herët, qoftë me mediat, qoftë me shtresat e ndryshme të shoqërisë. Natyrisht që ne të organizohemi, mobilizohemi që ta kundërshtojmë. Kryesia mori vendim që meqenëse është thirrur, siç ne jemi të informuar nga shoqëria civile, një protestë nesër në orën 18, si organizata të dala nga lufta ne e mbështesim si protestë dhe kërkojmë që të marrin pjesë njerëzit sa më masovikisht, derisa ne të bëhemi gati sepse jemi duke përgatitur edhe ne protestat tona. Po ashtu, kryesia mori vendim që sa të mundemi qoftë me pesë apo dhjetë persona të pengojmë çdo seancë të Kuvendit të Kosovës. Kur ata i kanë seancat ne të dalim aty që të mos i lejojmë që t’i mbajnë”, deklaroi Klinaku.
Po ashtu, ai shtoi se ka qenë i informuar që kjo nismë ligjore ishte tërhequr para tri ditëve.