Presidentja Vjosa Osmani dekoroi post mortem regjisorin Bekim Lumi me Medaljen Presidenciale të Meritave
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në 5-vjetorin e ndarjes nga jeta, në prezencë të familjarëve dhe kolegëve, ka dekoruar me Medaljen Presidenciale të Meritave krijuesin, regjisorin e pedagogun, Bekim Lumi.
Regjisori Lumi është dekoruar për merita të spikatura në artet dramatike, krijimtarinë kulturore dhe kontributin e çmuar për edukimin e brezave në teatër.
Presidentja Osmani ka theksuar se regjisori Lumi shquhej për guximin dhe përkushtimin ndaj arteve dramatike, duke e vendosur teatrin kosovar në hartën kulturore evropiane.
“Krijimtaria e Bekimit ishte alternative dhe avangarde, me një lojë të pasur estetike e skenike. Ai përfaqësoi në mënyrë dinjitoze teatrin e Kosovës nëpër teatrot evropiane, duke u shndërruar në emblemë të teatrit bashkëkohor të shtetit tonë. Na artësoi, siç preferonte të shprehej ai, ndërkaq ne sot po i shprehim mirënjohje dhe e nderojmë figurën dhe krijimtarinë e tij”, ka theksuar Presidentja Osmani në ceremoni.