Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për armëmbajtje pa leje në Gjilan, shkruan Gazeta Express.
Drejtoria rajonale e Policisë Gjilan, Stacioni Policor Gjilan njofton se në dy raste të ndara në zbatimit të planit operativ “Goditja 2023” gjatë kontrolleve të veturave dhe personave kanë gjetur armë dhe municion.
Policia bën të ditur se në rastin e parë gjatë kontrollit të një veture janë gjetur dhe konfiskuar pesëdhjetë (50) copë fishekë të kalibrit 9 mm, më pastaj gjatë intervistimit tek i dyshuari A.V. (viti i lindjes 2002, mashkull kosovar shqiptar), është gjetur se ai posedon edhe një armë pistoletë e llojit Zorki e kalibrit 9 mm. e cila po ashtu është konfiskuar.
“Në rastin e dytë Policia e Kosovës, njësiti i hetimeve nga Stacioni Policor Gjilan gjatë kontrollit në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit A.M. (viti i lindjes 1999, mashkull kosovar shqiptar) është gjetur dhe konfiskuar një armë automatike AK 47 dhe një karikator i zbrazët”, thuhet në njoftimin e bërë nga Policia.
Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori i shtetit i cili ka urdhëruar që ndaj të dy të dyshuarve të ngritët kallëzim penal për veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës” dhe rasti do të procedohet në prokurorinë themelore.